Nata e dytë e Festivalit të Fëmijëve, prezantohen edhe 16 krijime të reja nga artistët e vegjël

Nata e dytë e Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë solli sërish atmosferë festive në Shkodër, ku në skenë u prezantuan edhe 16 krijime të reja nga artistët e vegjël. Me interpretime live, ngjyra dhe emocione, festivali vijoi të dhurojë një mbrëmje të veçantë për publikun dhe teleshikuesit e RTSH-së.
“Është një kënaqësi e veçantë që të ndodhem në këtë mbretëri të këtij mentaliteti të fëmijëve, një klimë kaq e bukur, kaq e sinqertë siç është bota e fëmijëve. Dhe pastaj tjetra, që mua më kthen kujtime të viteve më parë pasi unë kam kaluar nga ky laborator që është laboratori më i vjetër dhe më i rëndësishëm i atyre që kanë vazhduar, pastaj rrugëtimin. Nga ky laborator unë mbaj mend që kanë dalë shumë emra të tjerë që sot janë emrat e mëdhenj të muzikës shqiptare që nga Irma Libohova, Ardit Gjebrea, Aurela Gaçe që kanë qenë për brezin tim”, deklaroi anëtari i jurisë, Josif Gjipali.
Emocionet e festivalit i ndau edhe Nikol Çabeli, ish-fituese dhe anëtare e jurisë së fëmijëve, e cila u shpreh e lumtur që rikthehet në këtë skenë me një rol të ri.
“Jam shumë e lumtur kur mora lajmin që do jem pjesë e jurisë. Ishte domethënë një nga ditët më të bukura. Jam e lumtur që kur u takova me shokët dhe shoqet e mia”, tha anëtarja e jurisë së fëmijëve, Nikol Çabeli.
Festivali do të mbyllet më 1 qershor, në natën finale ku do të shpallet edhe kënga fituese që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Junior Eurovision”.
/RTSH/