Ndahen nga jeta Elisabeta Katiaj dhe Eorda Sinollari pas një aksidenti rrugor në Kosovë

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Ndahen nga jeta Elisabeta Katiaj, nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, dhe Eorda Sinollari, konsulente biznesi pranë Dhomës, si pasojë e një aksidenti rrugor në Kosovë.
Elisabeta Katiaj ishte një figurë e njohur në komunitetin e biznesit shqiptar dhe diasporës, e angazhuar në ndërkombëtarizimin e sipërmarrjes dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse.
Ajo luajti rol kyç në afrimin e investitorëve të huaj dhe në nismat e Dhomës së Biznesit të Diasporës, duke promovuar projekte me ndikim për Shqipërinë dhe diasporën.
Si bashkëthemeluese e Rrjetit të Gruas së Diasporës Shqiptare, Katiaj la një trashëgimi të rëndësishme në mbështetje të barazisë gjinore dhe zhvillimit të sipërmarrjes. /j.p/