E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta aktori i njohur Ilir Shkurti

TIRANË, 5 prill /ATSH/ Në moshën 68-vjeçare, është ndarë nga jeta aktori i njohur Ilir Shkurti, një nga figurat më të shquara të estradës dhe kinemasë shqiptare në Pogradec.

I lindur më 30 dhjetor 1957, Shkurti ishte pjesë e brezit të aktorëve që kontribuan në skenën e humorit dhe teatrit lokal.

Ai u bë i njohur për publikun përmes interpretimeve të tij në Estradën e Pogradecit, ku solli role humoristike dhe karakteriale të pëlqyera gjerësisht nga qytetarët.

Përveç aktivitetit në estradë, Shkurti mori pjesë edhe në disa filma shqiptarë, mes tyre “Rrethimi i vogël”, “Binarët” dhe “Ngjyrat e moshës”, duke lënë gjurmë të qëndrueshme në kinemanë vendase dhe duke u bërë pjesë e brezit të aktorëve që formuan historinë e Kinostudios shqiptare.

Ndarja e tij nga jeta konsiderohet një humbje e madhe për jetën artistike dhe kulturore të qytetit të Pogradecit. Ilir Shkurti do të kujtohet gjithmonë për talentin, shpirtin e gjallë dhe për aftësinë për të sjellë buzëqeshje dhe ngrohtësi në skenën e qytetit të tij.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›