E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagoi 150 mijë euro për të vrarë ‘Passerotton’, arrestohet në Dubai Altin Sinomati! Vrasësi i shqiptarit i dënuar me burgim të përjetshëm

Altin Sinomati (me origjinë shqiptare) i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar më 10 tetor në Abu Dhabi nga policia e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Arrestimi i tij u bë në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Prokuroria Antimafia e Romës.

Sinomati dyshohet se është porositësi i vrasjes së Selavdi Shehaj, i njohur me nofkën “Passerotto”, i cili u ekzekutua më 20 shtator 2020 në plazhin e Torvaianica, Itali.

Sipas hetimeve, ai ka paguar Raul Esteban Calderon 150.000 euro për vrasjen.

Për këtë krim, janë dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Frosinones Raul Esteban Calderon (ekzekutori) dhe Giuseppe Molisso (bashkëpunëtor).

Sinomati gjithashtu akuzohet si një nga furnizuesit kryesorë të kokainës të një organizate kriminale që vepronte në Romë, e drejtuar nga Giuseppe Molisso dhe Leandro Bennato. Kjo organizatë u godit nga karabinierët e Romës më 18 mars 2025.

Pas arrestimit të Calderonit, Sinomati ishte arratisur dhe kishte vendosur bazën e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shmangur arrestimin nga autoritetet italiane.

Autoritetet italiane tashmë presin ekstradimin e tij për t’u përballur me drejtësinë./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›