Ndërhyri mes flakëve dhe shpëtoi jetën e qytetarit nga bomba molotov, inspektor Marsel Bicja nderohet me certifikatë mirënjohjeje

Inspektor Marsel Bicja është vlerësuar me “Certifikatë për Shërbime të Dalluara” nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, pas aktit të tij heroik dhe profesional, ku ndërhyri mes flakëve duke shpëtuar jetën e një qytetari nga djegia si pasojë e shpërthimit të një bombe molotov.
Certifikata iu dorëzua gjatë festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ku Proda e cilësoi veprimin e inspektorit si një dëshmi të humanizmit dhe vendosmërisë së Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
“Ju falënderoj për veprimin tuaj, pasi ky veprim dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Vijoni me përkushtim të përmbushni me nder këtë mision, sa të vështirë, po aq edhe fisnik”, u shpreh Proda.
Në këtë aktivitet, Drejtori i Policisë Tiranë, Elton Alushi, falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm për mbështetjen dhe inkurajimin që i jep strukturave të Policisë, duke vlerësuar veprimin e punonjësit të Shqiponjave si një akt që nuk kishte nevojë për komandë, por u udhëhoq nga uniforma dhe ndjenja njerëzore.
Nga ana e tij, inspektor Marsel Bicja shprehu mirënjohje për certifikatën e akorduar dhe theksoi se veproi pa u menduar dy herë, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve është parësore për të dhe kolegët e tij.
Drejtori i Policisë Tiranë, Elton Alushi, falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm për inkurajimin dhe mbështetjen që i jep strukturave të Policisë, si dhe vlerësoi veprimin e punonjësit të Shqiponjave, veprim që s’kishte nevojë për komandë për të vepruar, por e komandoi uniforma që mbajmë veshur dhe ndjenja njerëzore.
/rtsh.al/