E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndërhyrja në blloqet e banimit, Veliaj inspekton punimet në rrugën “Kongresi i Manastirit”

Një tjetër bllok pallatesh në kryeqyet i është nënshtruar rehabilitimit të plotë. Bëhet fjalë për kryqëzimin e rrugëve “Kujtim Laro” dhe “Kongresi i Manastirit”.

“Është 40 gradë dhe, për sa kohë që shumica e njerëzve janë për pushime, edhe ne kemi një moment të përshtatshëm për punuar. Këtu po bëjmë një investim që do ta rrisë jashtë mase vlerën e pronës. Njerëzit do rikthehen nga pushimet me një shtëpi që vlen të paktën 30-40% më shumë, vetëm prej faktit se do të ketë kanalizime, ndriçim LED, infrastrukturë, një ‘ishull’ për të moshuarit”, tha Veliaj.

Por kreu i bashkisë kishte dhe një ftesë për banorët, t’i regjitrojnë fëmijët në çerdhet dhe kopshtet pranë banesave të tyre.

“Duam që secili të shkojë te kopshti, çerdhja ose shkolla më e afërt. Tani që është hapur “Xhezmi Delli” do të duhet të shkojmë aty sepse në momentin që ne ngarkojmë një shkollë tjetër, atëherë do të kemi në mënyrë të paarsyeshme shkolla me dy turne, kurse shkolla ngjitur mbetet me klasa bosh. Do të respektojmë njësitë administrative, secili do të shkojë në shkollën më të afërt. Mësuesit shpërndahen sipas portalit, ndërkohë shkollat janë me të njëjtin standard në të gjithë Tiranën. Ta respektojmë faktin që mbi 40 shkolla të reja, plus 101 kopshte dhe çerdhe, t’u shërbejnë fëmijëve pa u mbivendosur mbi njëra-tjetrën, me të njëjtin shërbim, të njëjtin ushqim, të njëjtat edukatore, të njëjtët psikologë, të njëjtat sisteme ngrohje-ftohje”, tha ai.

Veliaj tha se punët në kryeqytet do të quhen të përfunduara vetëm kur  të mbyllen  punimet në çdo lagje të Tiranës./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›