Ndërtimet e paligjshme në Himarë, dërgohen për gjykim 7 persona, mes tyre 4 ish-zyrtarë të IMT-së për shpërdorim detyre

Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtatë persona, mes tyre katër ish-zyrtarë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Himarë, të akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “ndërtim të paligjshëm”.
Sipas njoftimit zyrtar, çështja lidhet me procedimin penal nr. 704 të vitit 2021, që ka në fokus ndërtimet e paligjshme në zonën e njohur si “Kodra e Rrapojve” në Himarë. Nga hetimet ka rezultuar se ish-zyrtarët, gjatë ushtrimit të detyrës, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke cenuar interesat e shtetit dhe të subjekteve të tjera.
Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka dërguar për gjykim tre shtetas të akuzuar për ndërtim të paligjshëm, si dhe katër ish-funksionarë të IMT-së Himarë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Konkretisht, për ndërtim të paligjshëm akuzohen shtetasit me iniciale M.B., B.M. dhe Sh.T. Ndërsa për shpërdorim detyre janë marrë të pandehur R.H. dhe M.N., të cilët kanë ushtruar detyrën e kryeinspektorit të IMT-së në Himarë, si dhe E.Z. dhe R.K., me detyrë inspektorë në këtë institucion.
Prokuroria bën me dije se veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar realizimin e ndërtimeve të paligjshme në këtë zonë, duke shkelur dispozitat përkatëse të Kodit Penal.
Tashmë çështja pritet të shqyrtohet në gjykatë, ku do të përcaktohet përgjegjësia penale për secilin prej të pandehurve.
/rtsh.al/