E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndërtimi dhe energjia rriten në 3-mujorin e parë, industria shënon rënie

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Ndërtimi, energjia elektrike dhe furnizimi me ujë shënuan rritje në tremujorin e parë të vitit, ndërsa industria regjistroi rënie në prodhim, shitje dhe punësim.

Referuar të të dhënave të publikuara nga INSTAT-i, industria ka pësuar tkurrje në këtë periudhë, me ulje të shitjeve neto në volum me 3,1%, të prodhimit me 4,9% dhe të punësimit me 2,9%. Ndërkohë, fondi i pagave u rrit me 7,5%.

Në sektorin e energjisë elektrike, gazit dhe avullit u shënua rritje e fortë në të gjithë treguesit kryesorë.

Shitjet neto në volum janë rritur me 17,6%, ndërsa prodhimi është rritur me 45%.

Punësimi ka shënuar rritje me 2,1%, ndërsa fondi i pagave me 13,1%.

Furnizimi me ujë, trajtimi dhe menaxhimi i mbetjeve ka regjistruar gjithashtu rritje, me rritje të shitjeve neto në volum prej 15,1% dhe të prodhimit me 5,6%. Punësimi është rritur lehtë me 0,3%, ndërsa fondi i pagave është rritur me 18,5%.

Ndërtimi po ashtu vijoi rritjen gjatë tremujorit të parë të vitit, me rritje të shitjeve neto në volum prej 8,6%, të prodhimit me 7,2% dhe të punësimit me 5,6%. Fondi i pagave është rritur me 22,4%.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›