E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ndërtuesit letër kryeministrit Rama: Burokracitë pengojnë kalimin e apartamenteve tek klientët

Shoqata e Ndërtuesve i është drejtuar me një letër kryeministrit Edi Rama, ku kërkon rishikimin e disa procedurave ligjore që, sipas saj, po pengojnë përfundimin dhe dorëzimin e apartamenteve të reja te qytetarët.

Në letër, shoqata ngre shqetësimin se pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në ligjin “për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, në tetor të vitit 2025 janë krijuar pengesa për objektet që kanë përfunduar ndërtimin dhe janë në fazën e fundit për t’u bërë gati për banim.

“Legjislacioni aktual ka krijuar një rreth vicioz, pasi pa energji elektrike nuk mund të përfundojë kolaudimi dhe të merret certifikata e përdorimit, ndërsa pa këtë certifikatë nuk mund të aktivizohen kontratat individuale të energjisë dhe ujit. Për më tepër, vonesat administrative, veçanërisht në Bashkinë Tiranë, zgjasin me muaj, duke rritur kostot për kompanitë e ndërtimit dhe duke penalizuar edhe blerësit, të cilët paguajnë për banesa që nuk mund t’i përdorin”, thotë Shoqata e ndërtuesve.

Për këtë arsye, ndërtuesit kërkojnë që lidhjet me rrjetin elektrik dhe atë të ujësjellësit të mund të kryhen që në fazën përfundimtare të kontrollit të objektit, pa qenë e nevojshme të bëhen aplikime të tjera pas pajisjes me certifikatën e përdorimit.

Reklamë

 “Shoqata e Ndërtuesve kërkon ndryshime ligjore që të mundësojnë lidhjen e objekteve me rrjetin e energjisë dhe ujit përpara marrjes së certifikatës së përdorimit, si dhe vendosjen e afateve të detyrueshme për institucionet. Ndër të tjera, kërkohet që certifikata të lëshohet brenda 30 ditëve, të shmangen aplikimet e përsëritura për aktivizimin e rrjeteve dhe të zgjidhen aplikimet e mbartura në Bashkinë e Tiranës. Shoqata kërkon gjithashtu ngritjen e një grupi pune ndërinstitucional për hartimin e ndryshimeve ligjore dhe zbatimin e masave brenda 60 ditëve”, thotë Shoqata e ndërtuesve.

Përmes kësaj letre, ndërtuesit kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë për të lehtësuar procedurat, me qëllim që objektet e përfunduara të jenë në dispozicion për banorët pa vonesa të mëtejshme.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›