E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ibrahimaj: 24 miliardë lekë shtesë për indeksimin dhe rritjen e të ardhurave të pensionistëve në 2027-ën - ATSH -

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u shpreh sot se gjatë vitit 2027 do të vijojë politika e rritjes së të ardhurave të pensionistëve përmes dyfishimit të shtesave mujore të diferencuara, që zbatohen që nga viti 2026.

Duke raportuar në komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale mbi projektbuxhetin 2027, Ibrahimaj theksoi se një nga prioritetet kryesore mbetet mbështetja e pensionistëve, përmirësimi i të ardhurave të tyre dhe garantimi i qëndrueshmërisë së sistemit të sigurimeve shoqërore.

“Ky program përfaqëson rreth 67% të buxhetit total të Ministrisë, çka tregon peshën që kanë politikat e mbrojtjes sociale në financimin tonë për vitin e ardhshëm. Në nivel të gjithë sistemit, shpenzimet e sigurimeve shoqërore për vitin 2027, përfshirë fondet për indeksimin dhe bonusin e pensionistëve, parashikohen në rreth 239,6 miliardë lekë, ose rreth 23 miliardë lekë më shumë se niveli i pritshëm i vitit 2026, me një rritje prej 10,6%”, u shpreh Ministrja.

Kjo rritje, sipas saj, lidhet me politikat për përmirësimin e të ardhurave të pensionistëve, shtimin e numrit të përfituesve dhe efektet financiare të ndryshimeve të zbatuara në sistem gjatë viteve të fundit.

Konkretisht, Ibrahimaj theksoi se për pensionet urbane me vite të plota pune, shtesa mujore rritet nga 1 800 në 3 600 lekë, ndërsa për pensionet urbane të pjesshme, shtesa mujore rritet nga 800 në 1 600 lekë.

“Për pensionet rurale, nga 1 000 shkon në 2 000 lekë. Për pensionet familjare, nga 700 shkon në 1 400 lekë. Për pensionet e invaliditetit të punës, nga 600 në shkon 1 200 lekë. Kjo politikë synon përmirësimin e të ardhurave mujore të pensionistëve, duke marrë në konsideratë kategoritë e ndryshme të tyre dhe nivelin e përfitimeve”, u shpreh ajo.

Për financimin e këtyre shtesave, për vitin 2027, sipas ministres, parashikohet një fond prej 20 miliardë lekësh, krahasuar me 10,4 miliardë lekë që ishte fondi në vitin 2026.

Ibrahimaj theksoi se një element i rëndësishëm i kësaj politike është edhe shpërndarja e mbështetjes përgjatë 12 muajve të vitit, e cila u mundëson pensionistëve të përfitojnë të ardhura shtesë në mënyrë të rregullt dhe të përballojnë më lehtë shpenzimet e përditshme.

“Krahas kësaj politike, ne kemi një fond të parashikuar prej 4 miliardë lekësh, i cili do të përdoret për indeksimin e pensioneve, me synimin e ruajtjes së fuqisë blerëse të tyre në raport me rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve që përbëjnë shportën e pensionistit. Për vitin 2027, kjo politikë afrohet me disa muaj, duke filluar zbatimin që më 1 prill të vitit 2027”, tha Ibrahimaj.

Në total, sipas saj, “për vitin 2027 janë parashikuar rreth 24 miliardë lekë shtesë për indeksimin dhe mbështetjen e rritjes së të ardhurave të pensionistëve, pra për rritjen e të ardhurave përmes bonusit të pensioneve”.

“Kjo është një ndërhyrje e rëndësishme në buxhetin e shtetit, e cila synon të mbështesë fuqinë blerëse të pensionistëve dhe të krijojë më shumë siguri në të ardhurat e tyre mujore. Një tjetër zhvillim që ndikon drejtpërdrejt në financimin e sistemit është rritja e numrit të përfituesve. Për vitin 2026 parashikohet një shtesë neto prej 28 400 pensionistësh, ndërsa për vitin 2027 pritet një shtesë tjetër prej 22 000 pensionistësh”, theksoi ajo.

Ibrahimaj theksoi se në fund të vitit 2027, numri i pensionistëve të të gjitha kategorive pritet të arrijë në 805 000 persona, nga të cilët 693 600 janë përfitues të pensioneve të pleqërisë.

“Nëse përfshihen pensionet publike, pensionet suplementare, kompensimet dhe trajtimet e veçanta të përcaktuara me ligj, sistemi i sigurimeve shoqërore parashikohet të mbështesë me të ardhura rreth 850 000 persona deri në fund të vitit 2027. Rritja e numrit të pensioneve të reja lidhet me ndryshimet ligjore që kanë zgjeruar mundësitë e përfitimit të pensioneve. Zbatimi i ligjit për njohjen e periudhave të mëparshme të punësimit në sektorin shtetëror dhe bujqësor, ka krijuar mundësi për përfshirjen në skemë të qytetarëve që më parë nuk i plotësonin kushtet e nevojshme. Njëkohësisht, zbatimi, nga 1 korriku 2025, i Marrëveshjes së Sigurimeve Shoqërore me Italinë ka lehtësuar bashkimin e periudhave të kontributeve për qytetarët që kanë punuar në të dyja vendet”, bëri të ditur Ibrahimaj.

Por, sipas saj, përmirësimi i të ardhurave të pensionistëve duhet të shoqërohet me masa që garantojnë qëndrueshmërinë financiare të sistemit në afatgjatë.

“Për vitin 2027, të ardhurat e sigurimeve shoqërore, pa transfertat e buxhetit të shtetit, parashikohen në nivelin e 182,3 miliardë lekëve, ndërsa shpenzimet bazë janë rreth 215,6 miliardë lekë. Diferenca prej 33,3 miliardë lekësh mbulohet nga buxheti i shtetit përmes financimeve të parashikuara nga institucionet përgjegjëse. Në të njëjtën kohë, synojmë që të ardhurat nga kontributet të mbulojnë mesatarisht 84,5% të fondeve të alokuara për skemat e sigurimeve shoqërore. Shkalla e mbulimit të popullsisë në moshë pune nga kontribuuesit parashikohet të arrijë në 61%”, theksoi ministrja Ibrahimaj.

Një tjetër tregues i rëndësishëm, sipas saj, është raporti ndërmjet kontribuuesve dhe përfituesve të pensioneve të pleqërisë, i cili për vitin 2026 do të jetë 1,31 kontribuues për çdo pension pleqërie.

Ibrahimaj theksoi se ndërkohë që numri i pensionistëve rritet, është e domosdoshme të forcohet baza kontributive e sistemit, në mënyrë që të krijojmë mundësi për përmirësimin e vazhdueshëm të këtyre përfitimeve.

Ndaj, sipas saj, rritja e punësimit formal, deklarimi i pagave reale dhe zgjerimi i bazës së kontribuuesve janë të rëndësishme për të përmirësuar të ardhurat e sistemit dhe për të përballuar detyrimet e ardhshme.

/m.m/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›