E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndeshja Letoni-Shqipëri, publikohen formacionet zyrtare

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Shqipëria do të luajë mbrëmjen e sotme në orën 20:45 në “Skonto Stadium” në Riga ndaj Letonisë ndeshjen e katërt në Grupin K kualifikues të Botërorit 2026.

Trajneri i Kombëtares, Silvinjo ka përzgjedhur formacionin me të cilin do të zbresë në fushë mbrëmjen e sotme.

Në portë do të jetë sërish portieri Strakosha. Në krahun e djathtë të mbrojtjes Balliu në qendër Ismajli dhe Kumbulla, ndërsa Mitaj në të majtë; në mesfushë do të luajnë Asllani, Shehu dhe Laçi. Në sulm Hoxha dhe Broja nga krahët, ndërsa në qendër do të jetë Manaj.

Për ndeshjen e sotme, Silvinjo nuk ka të gatshëm dy qendërmbrojtësit, Berat Gjimshiti për shkak të pezullimit për kartonë dhe Arlind Ajetit për shkak të një lëndimi muskulor në kofshën e majtë. Të dy ishin titullarë kundër Serbisë.

Veç tyre, trajneri ka lënë në tribunë sërish portierin Mario Dajsinani dhe mesfushorin Adrion Pajaziti. Ndërkohë me grupin janë bashkuar Adrian Bajrami dhe Medon Berisha.

UEFA ia ka besuar këtë takim arbitrave nga Turqia dhe Gjermania. Kryesor do jetë turku Umut Meler, me ndihmësa bashkëkombasit Kerem Ersoy, Ibrahim Çaglar Uyarcan dhe Oguzhan Çakir. Në sistemin VAR do jenë gjermanët Harms Hormers, me ndihmës Daniel Schlager.

Grupin K kualifikues e kryeson Anglia me nëntë pikë të plota pas tre takimeve të luajtura.

Shqipëria me katër pikë mban vendin e dytë (humbje në Angli, fitore në Tiranë kundër Andorrës dhe barazim po në Tiranë kundër Serbisë).

Letonia me dy ndeshje të luajtura mban vendin e tretë me tre pikë.

Më pas Serbia me një pikë pas vetëm një ndeshje të luajtur dhe në fund Andorra me zero pikë pas tre ndeshjeve të luajtura.

Ndeshja e tjetër e mbrëmjes së sotme në grupin K është Serbi – Andorra.

Grupi “K”
Ndeshjet sot ora 20:45
-Letoni-Shqipëri
-Serbi- Andorra

Klasifikimi
1. Anglia       9 pikë (3 ndeshje)
2. Shqipëria  4 pikë (3 ndeshje)
3. Letonia     3 pikë (2 ndeshje)
4. Serbia      1 pikë (1 ndeshje)
5. Andorra    0 pikë (3 ndeshje)

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›