Ndeshja Vllaznia-Tirana, Policia masa për garantimin e rendit dhe sigurisë

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Policia e Shkodrës ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit Vllaznia-Tirana, që do të zhvillohet më 27 shkurt në orën 19:00, në stadiumin “Loro Boriçi”.
Në një njoftim për shtyp Policia informon qytetarët se në zbatim të këtyre masave, duke filluar nga ora 06:00 e datës 27 shkurt deri në përfundim të ndeshjes ndalohet parkimi/qëndrimi i të gjitha kategorive të mjeteve në perimetrin e stadiumit “Loro Boriçi”.
Gjithashtu kufizohet qarkullimi i mjeteve në perimetrin e stadiumit, me përjashtim të mjeteve të emergjencave dhe të mjeteve të shërbimeve të tjera me rëndësi.
Në varësi të situatës, nëse është e nevojshme, sipas masave të parashikuara nga strukturat përgjegjëse, do të devijohet lëvizja e mjeteve nga rrugët afër stadiumit në rrugë të tjera alternative.
Policia informon qytetarët se nëse konstatohen mjete të parkuara në perimetrin e sigurisë së stadiumit, nga ora 06:00 e datës 27.02.2026 deri në përfundim të ndeshjes, do të aplikohen sanksionet ligjore të parashikuara, përfshirë edhe spostimi i tyre me mjete ngritëse.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për mirëkuptimin e qytetarëve, për zbatimin e masave kufizuese, të cilat kanë për qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë dhe të mbarëvajtjes së aktivitetit sportiv.
/k.s/a.f/