E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokimi i aksit në Librazhd, Vengu për ATSH: Siguria e banorëve prioritet, lehtësim të aksesit në raste emergjence

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë një konference për mediet, duke iu përgjigjur interesit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare mbi menaxhimin e situatës në aksin rrugor Librazhd–Përrenjas, i dëmtuar nga rrëshqitjet e dheut, deklaroi sot se forcat e emergjencave civile kanë qenë në gatishmëri të plotë që në momentin e parë.

Vengu bëri të ditur se pak orë më parë forcat xheniere kanë nisur shembjen e urës, ndërsa është marrë vendimi nga autoritet përkatëse për ndërtimin e aksit të ri, që do të lidh Librazhdin me Përrenjasin.

“Pak orë më herët ka nisur shembja e urës. Vendimmarrja për aksin e ri është marrë. Siguria dhe jeta e banorëve janë prioriteti ynë, si edhe lehtësimi i aksesit në raste emergjence. Gjithashtu, mbështesim elementët e rehabilitimit sa herë është e nevojshme. Forcat xheniere e kanë bërë këtë nga veriu në jug të vendit, duke treguar angazhim maksimal, siç ndodhi në Maliq, Selenicë, Delvinë dhe në zona të tjera”, tha Vengu.

Kreu i Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Haki Çako, u shpreh për ATSH-në se, ekipet e emergjencave civile kanë kaluar në gatishmëri të shtuar.

“AKMC, përmes Qendrës Kombëtare të Emergjencave Civile, ka komunikuar për gatishmërinë e Forcave të Armatosura dhe të gjithë sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri, sipas planit kombëtar të emergjencave. Shumë shpejt do të ndërhyhet për krijimin e një aksi të ri rrugor, me qëllim eliminimin e vështirësive të krijuara në këtë segment”, tha Çako.

/gj.m//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›