Ndezi zjarr për djegien e mbeturinave por flakët u përhapën në tokën e fqinjit, arrestohet 57-vjeçari në Lushnjë

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Policia e Lushnjës njoftoi se ka vënë në pranga një 57-vjeçar i cili ndezi zjarr për djegien e mbeturinave, por flakët dolën jashtë kontrollit duke shkaktuar dëme.
Policia bëri me dije se si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e autorësisë së një rasti zjarrvënje, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin I. K., 57 vjeç, banues në fshatin Lumth, Lushnjë.
Sipas policisë, ditën e djeshme, ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, në fshatin Lumth, për djegien e mbeturinave, por flakët janë përhapur në tokën e fqinjit të tij, shtetasit A. A., ku si pasojë janë djegur një mjet bujqësor (zetor), një rimorkio dhe baza ushqimore për blegtorinë.
Policia njoftoi se shtetasi A. A., në përpjekje për të shuar flakët në pronën e tij, ka pësuar djegie. Ai po merr mjekim në Spitalin e Lushnjës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
/m.q/j.p/