Ndihma e parë, një domosdoshmëri. Kryqi i Kuq përgatit drejtuesit e ardhshëm për situatat emergjente

Kryqi i Kuq, dega Kukës, po vijon me trajnimet dhe pajisjen me dëshmi të ndihmës së parë kandidatët për drejtues automjeti, një proces që ka tërhequr interes të veçantë te të rinjtë.
Ky kualifikim konsiderohet i domosdoshëm, pasi përgatit drejtuesit e ardhshëm për t’u përballur me situata emergjente në rrugë.
“Në gjithë programet që kemi ne, një është edhe trajnimi dhe pajisja me dëshmi të ndihmës së parë të kandidatëve për pajisjen me patentën e shoferit. Të gjithë që bëhen shoferë duhet të kalojnë në këtë kurs të ndihmës së parë,” thotë Violeta Sinanaj, sekretare e Kryqit të Kuq, Kukës.
Ndërkohë, është bërë traditë tashmë zhvillimi i konkursit kombëtar të ndihmës së parë, ku marrin pjesë 39 degë të Kryqit të Kuq nga e gjithë Shqipëria, duke ofruar një platformë praktike dhe konkurruese për vlerësimin e aftësive.
“Është kthyer në traditë Konkursi Kombëtar i Ndihmës së Parë, sikurse edhe konkursi i rinisë, Rinia dhe Kryqi i Kuq, Fëmijët dhe Kryqi i Kuq për ekspozitën e vizatimit, e kështu me radhë,” tregon znj. Sinanaj.
Këto aktivitete jo vetëm rrisin ndërgjegjësimin për rëndësinë e ndihmës së parë, por edhe forcojnë bashkëpunimin mes të rinjve në shkallë kombëtare.
Gazetare: Irda Bajraktari
/rtsh.al/