E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihma për familjet e prekura në Pogradec, bonus qiraje për 6 familje dhe paketa ushqimore për të dëmtuarit

Pas kërkesës së Bashkisë Pogradec, kanë mbërritur nga Rezervat Materiale të Shtetit 50 pako ushqimore dhe 1 ton miell, të cilat do të shpërndahen për familjet e prekura nga vërshimi i ujërave në banesat e tyre. Ndihmat synojnë të lehtësojnë situatën e krijuar nga përmbytjet, që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

“Në vijimësi të punës, pas identifikimit të 62 familjeve, u kërkua një ndihmë për familjet në nevojë. Nga Drejtoria e Strehimit janë duke u punuar për të përgatitur dokumentacionin për bonus qiraje për këto familje. Janë 6 familje, katër janë të strehuar nga të afërmit e tyre për momentin,  njeri ka gjetur me qira dhe njërin e kemi në proces zgjidhje”tha Dritan Babasuli, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Pogradec.

Sipas të dhënave të fundit, gjashtë familje janë evakuuar, pasi banesat e tyre janë dëmtuar rëndë dhe janë kthyer të pabanueshme. Për këto familje, Bashkia Pogradec do të akordojë bonusin e qerasë, deri në rikonstruksionin e plotë të banesave, me fonde të siguruara nga emergjencat civile.

Gazetare: Elsa Xhindole

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›