E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndihmoi të lënduarit në një aksident, Certifikatë për Shërbime të Dalluara për nënkomisarin Paulin Drolla

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Nënkomisari Paulin Drolla ka marrë vlerësimin me Certifikatën për Shërbime të Dalluara.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, pas mesazheve të dërguara nga disa qytetarë kalimtarë të rastit, prezentë në një aksident rrugor mëngjesin e djeshëm, në aksin Elbasan–Tiranë, të cilët panë reagimin e një punonjësi policie jashtë detyre, por që me profesionalizëm dhe humanizëm ndërhyri për t’u dhënë ndihmë të aksidentuarve dhe për të shmangur përfshirjen në aksident të automjeteve të tjera, ka falënderuar dhe i ka akorduar nënkomisarit Paulin Drolla, Certifikatën për Shërbime të Dalluara.

“Të jesh punonjës policie është mision ligjor dhe human, është shërbim ndaj qytetarëve në çdo kohë, si në detyrë ashtu edhe jashtë saj”, tha Proda, duke përgëzuar Drollën publikisht për veprimin e tij.

Proda u shpreh se, ky është një veprim që rrit besimin dhe respektin e qytetarëve ndaj Policisë së Shtetit dhe i jep kuptim misionit të policisë.

“Rastet e shumta pozitive gjatë muajve të fundit na motivojnë të bëjmë akoma më shumë e më mirë në shërbim të qytetarëve dhe të ligjit”, theksoi Proda, teksa shtoi se, “vlerësimi nga qytetarët lartëson figurën e punonjësit të Policisë dhe është shpërblimi më i çmuar për sakrificën dhe përkushtimin e tij”.

Proda inkurajoi çdo punonjës policie që t’u shërbejë me ndershmëri qytetarëve, të jetë gjithmonë i gatshëm, human e profesional për t’u ardhur në ndihmë atyre.

Ai shprehu mirënjohje dhe respekt për çdo punonjës policie që sakrificën, humanizmin dhe ndershmërinë i ka pjesë të përditshmërisë së tij.

Nënkomisari Paulin Drolla, me detyrë shef rendi në Komisariatin e Policisë Vlorë, gjatë udhëtimit drejt Tiranës për ndjekjen e një trajnimi në Akademinë e Sigurisë, në dalje të tunelit të Kërrabës, konstatoi një aksident rrugor ku ishin përfshirë dy automjete, njëri prej të cilëve kishte dalë nga rruga dhe brenda ndodhej një person i dëmtuar.

Duke qenë me veshje civile, nënkomisar Drolla u prezantua si punonjës policie, veshi një jelek me mbishkrimin “Policia”, njoftoi ambulancën dhe shërbimet e Policisë Rrugore, si dhe mori masa për të shmangur përfshirjen e mjeteve të tjera, pasi njëri nga drejtuesit e automjeteve kishte dëmtime fizike dhe pamundësi për të lëvizur.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›