E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndreu: Transformim i jashtëzakonshëm i kësaj zone me një turizëm elitar

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu deklaroi sot se Lezha ka pësuar një transformim rrënjësor falë investimeve të kryera vitet e fundit, ndërsa pritet të asfaltohen të gjitha rrugët rurale në brendësi të fshatrave që janë përgjatë bregdetit.

Në fjalën e tij gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të bizneseve mbi nismat e qeverisë për të lehtësuar shërbimet ndaj tyre, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Ndreu vlerësoi mbështetjen që qeveria i ka dhënë bashkisë Lezhës.

Ndreu tha se “janë një seri investimesh të cilat ose janë në zbatim, ose në prag të fillimit dhe që e bëjnë këtë territor më të të financuarin në shkallë vendi”.

Duke përmendur disa nga investimit kryesore që po realizohen në Lezhë, Ndreu tha se “për rrugën Milot – Balldren pritet të shpallet fituesi javën që vjen; rruga Shëngjin – Velipojë po mbaron; bajpasi i Shëngjinit pritet të hapet së shpejti; rruga nga Kumja në Hidrovor për të dalë nga Shëngjini, me një projekt shumë të madh që ka të bëjë me kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza të qytetit; ujësjellësin në lagjen “Nënë Tereza”; atë të Shëngjinit, si dhe ujësjellës të disa fshatrave si dhe më shumë projekte të tjera shkollash, të cilat thuajse i kemi të mbyllura”.

Ndreu u shpreh se “jemi pa diskutim më të mbështeturit nga qeveria Rama dhe falënderoj kryeministrin për gjithë mbështetjen. Asnjë qeveri nuk ka treguar vëmendje të përqendruar”.

Kryebashkiaku Ndreu bëri të ditur se do të asfaltohen rrugët rurale të fshatrave që ndodhen përgjatë bregdetit.

“Sot gjithë kësaj zone nga bregu i lumit Mat, deri në Shëngjin do t’i jap një sihariq: Kemi rënë dakord me kryeministrin Rama me një projekt të bashkisë Lezhë për asfaltimin e të gjitha rrugëve rurale në brendësi të fshatrave që vijnë përgjatë bregdetit”, tha Ndreu.

Ky, vijoi Ndreu, është një transformim i jashtëzakonshëm i kësaj zone me një turizëm elitar, që shkon në harmoni me filozofinë që po përdorim sidomos në Tale dhe në Ranën e Hedhun ku të paktën janë 20 studio nga më të mirat në Europë deri në Japoni që po punojnë për dizenjimin e resorteve më model që ka bota.

“Mendoj se për 2-3 vjet zona e bregdetit të Tales dhe Shëngjinit bashkë me Ranën e Hedhun, deri në Velipojë do të jetë një nga zonat më të mira në rajon”, tha Ndreu.

Ai shtoi se “në qarkun e Lezhës janë shtuar mbi 600 biznese”.

“I falënderoj bizneset për mbështetjen dhe korrektësinë që kanë treguar në vazhdimësi duke qenë gjenerator i zhvillimit të ekonomisë”, përfundoi Ndreu.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›