Ndreu publikon numrat e kontaktit dhe çmimet në plazhet e Lezhës: Denonconi çdo rast abuzimi

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Bashkia Lezhë ka vënë në dispozicion të pushuesve kontaktet e stafit drejtues, me qëllim adresimin e menjëhershëm të çdo shqetësimi gjatë sezonit turistik, në zonat bregdetare të Lezhës.
Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, bëri të ditur se qytetarët dhe vizitorët mund të drejtohen pranë strukturave përgjegjëse për çdo problematikë që lidhet me shërbimet, standardet e turizmit, çmimet apo hapësirat publike.
Sipas Ndreut, kjo nismë vjen në kuadër të angazhimit për garantimin e një sezoni turistik sa më cilësor dhe transparent, si dhe për të reaguar ndaj çdo rasti që bie në kundërshtim me rregullat dhe interesin e pushuesve.
Bashkia Lezhë ka bërë publike edhe çmimet e miratuara për përdorimin e shezloneve në zonat turistike të administruara, të cilat variojnë sipas zonave dhe kategorive të shërbimit.
Ndreu bën me dije se për shezlonet bazike prej alumini, çmimet janë 300 lekë në Tale, 400 lekë në Shëngjin (qendër) dhe Kune, si dhe 500 lekë në Ranën e Hedhun. Ndërsa, shezlonet prej druri me dyshek kanë çmime nga 700 lekë në Tale, 800 lekë në Shëngjin (qendër) dhe 1000 lekë në Ranën e Hedhun. Gazebot familjare variojnë nga 1500 deri në 2500 lekë.
Kryebashkiaku i Lezhës u bëri thirrje pushuesve që çdo rast i çmimeve abuzive apo problematikave të tjera të denoncohet pranë kontakteve të vëna në dispozicion, me qëllim marrjen e masave të menjëhershme.
Bashkia Lezhë thekson se garantimi i cilësisë së shërbimeve turistike, mbrojtja e interesit të pushuesve dhe promovimi i destinacioneve bregdetare mbeten prioritet gjatë sezonit veror.
Numrat e kontaktit për pushuesit:
Pjerin Ndreu – Kryetar i Bashkisë: +355 69 404 5011
Fatjon Zefi – Zv/Kryetar i Bashkisë: +355 69 559 1150
Brahim Demi – Administrator i Shëngjinit: +355 69 333 4446
Zhaneta Frroku – Administratore e Shënkollit-Talës: +355 69 996 1800
Besmir Frroku – Drejtor i Lezha Invest: +355 69 393 0434
Renaldo Xhanej – Drejtor i Turizmit: +355 69 626 7623
/e.i/ /a.g/