E Hënë, 2 Nëntor 2026

Festa e Liqenit në Zogaj, tradita e Shkodrës tërheq turistë vendas dhe të huaj

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Fshati Zogaj, 3-4 kilometra përtej Shirokës në Shkodër, u shndërrua në qendër të festimeve verore me organizimin e “Festës së Liqenit”, një aktivitet që promovoi traditën, gastronominë dhe bukuritë natyrore të zonës.

Nën atmosferën e krijuar buzë liqenit, turistë të huaj dhe banorë të zonës u bënë pjesë e një mbrëmjeje festive me shije tradicionale, muzikë dhe mikpritje karakteristike shkodrane.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ndau pamje nga festa teksa e cilësoi këtë aktivitet si një shembull të promovimit të turizmit dhe traditave shqiptare.

“Festa e Liqenit në Zogaj, tradita e Shkodrës që flet në çdo gjuhë të botës! Nga kaltërsia e liqenit te tavolinat me shijet e traditës, e deri te magjia e mbrëmjes nën dritën e fenerëve, Zogaj u kthye në një festë të vërtetë vere që bëri bashkë turistët e huaj dhe banorët mikpritës të zonës. Në çdo sezon, në çdo destinacion, Shqipëria është një përvojë që mbetet gjatë në kujtesën e çdo vizitori”, shkroi Koçiu.

Vizitorët morën pjesë pjesë në shëtitje me varkë, Paddle Board, ture me biçikleta, degustime të produkteve tradicionale, ekspozita artizanale, demonstrime të peshkimit dhe një mbrëmje muzikore buzë liqenit.

Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut. Kjo zonë shquhet edhe për prodhimin e qilimave tradicionalë, traditë e cila vijon të ruhet me fanatizëm nga gratë e zonës. Punimet me endje me kalimin e viteve janë kthyer në të preferuar nga turistët.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›