Ndryshime kushtetuese? Ndreca: Nëse ndodh duhet konsultime të gjera. Vangjeli: Mund të ketë komision me qëllim rithemelimin e një “republike të re”

Nëse do të ketë ndryshime kushtetuese dhe strukturë të re të parlamentit, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca por edhe analistët në emisionin “Trialog” në RTSH, janë të mendimit se çdo hap në këtë drejtim duhet të bëhet me shumë kujdes dhe pas një procesi të thellë konsultativ.
Sipas Ndrecës, ndryshimet duhet të kalojnë përmes një procesi të gjerë konsultimi, që përfshin ekspertë, akademikë, shoqërinë civile dhe të tjerë aktorë të jashtëm, për të siguruar një kulturë të qëndrueshme kushtetuese.
Ai thekson se ndërhyrjet në Kushtetutë kërkojnë kujdes të madh, duke pasur parasysh se jemi ende në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se çdo ndryshim duhet të kalojë përmes një kontrolli dhe miratimi nga partnerët europianë.
“Nëse do të kërkohen ndryshme kushtetuese, mendoj se duhet të ketë një komision i posaçëm me shumë ekspertë, të thërrasë mendime jashtë politikës, mendime akademike, shoqërisë civile etj. për t’i bërë pjesë të procesit dhe t’i bëjë pjesë të konsultimit publik të ndryshimeve. Ne duhet të krijojmë një kulturë konstitucionale dhe kemi deficit në këtë pikë krahasuar me vlerat evropiane perëndimore ne nuk jemi të familjarizuar kaq shumë. Duhet shumë kujdes kur ndërhyhet në kushtetutë pasi është një konstitucion kombëtar”, tha Ndreca.
Nga ana tjetër, analisti Lorenc Vangjeli ngriti mundësinë e krijimit të një komisioni të posaçëm që mund të ketë për qëllim rithemelimin e një “republike të re”.
“Ky tjetri mund të jetë një komision për rithemelimin e një republike të re. Duhet një komision shumë herë më i gjerë se sa thjeshtë deputetë e Kuvendit”, tha Vangjeli.
/rtsh.al/