“Trialog” në RTSH – Sulo: Reforma kushtetuese për uljen e numrit të deputetëve është reagim ndaj partive të vogla me qëllim eleminimin e tyre

Analisti Arion Sulo, gjatë diskutimit në emisionin “Trialog” në RTSH, komentoi se propozimet për reformë kushtetuese, siç është ulja e numrit të deputetëve nga Rama, është më shumë një përgjigje ndaj rritjes së votës për partitë e vogla sesa një nevojë thelbësore institucionale.
Sipas Sulos, nisur nga rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit, ku partitë e reja grumbulluan rreth 210 mijë vota, Rama po synon të ndryshojë rregullat për të mbrojtur bipartitizmin.
“Ai e bën propozimin nga selia e partisë, jo nga parlamenti ku duhej ta bënte. Kjo ndodhi menjëherë pas rezultateve të partive të reja… Duke rritur pragun partitë e vogla zhduken. Ky është një nga skenarët,” u shpreh Sulo, duke e cilësuar situatën si një “Déjà vu të 2008” kur ndryshimet në kodin zgjedhor “shpartalluan koalicionet“.
Debat për kompetencat e presidentit
Sulo ngriti gjithashtu hipotezën se nëse në kuadër të reformave zgjidhet Presidenti drejtpërdrejt nga populli, Kryeministri Rama do të fitonte më shumë kompetenca, duke u mbrojtur më fort, madje edhe nga “ndjekjet penale për veprimet e kaluara.”
Ky pretendim u kundërshtua nga ish-deputeti i PS-së, Plarent Ndreca, i cili vlerësoi se Rama aktualisht ka një mbrojtje të fortë dhe nuk ka nevojë për rritje imuniteti përmes zgjedhjes presidenciale.
“Ndaj Ramës nuk ka fare ndjekje penale si në bazë të funksionit ashtu dhe të imunitetit. Rama e ka aktualisht mbrojtjen të fortë,” argumentoi Ndreca. Ai shtoi se zgjedhja e Presidentit nga populli lidhet gjithmonë me kërkesën për kompetenca të forta, dhe jo për funksione “honorifike.”
/rtsh.al/