E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndryshimet në pushtetin vendor, Mazniku: Bashkitë duhet të jenë gati për procesin e integrimit në BE

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, theksoi rëndësinë që ka pushteti vendor në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe nevojën që bashkitë të jenë të gatshme për të përmbushur sfidat e këtij procesi.

Në një intervistë në media sot, Mazniku e lidh riorganizimin dhe shkarkimet në bashki me fazën e avancuar të negociatave për anëtarësim në BE.

“Një pjesë e madhe e reformave që kërkon BE zbatohen në nivel vendor. Për këtë arsye, bashkitë duhet të jenë më të strukturuara, më të angazhuara dhe të funksionojnë në një nivel më të lartë, në përputhje me sfidat e integrimit”, deklaroi Mazniku.

Ai theksoi se të gjitha kapitujt e negociatave pritet të hapen deri në vjeshtë, ndërsa objektivi është që ato të mbyllen deri në vitin 2027.

Sa i përket kërkesave për dorëheqje dhe ristrukturim të drejtorëve në bashki, Mazniku sqaroi se ky proces nuk përbën ndërhyrje nga pushteti qendror, por është një proces politik i brendshëm i Partisë Socialiste.

“Ky nuk është një organizim mes qeverisë dhe pushtetit vendor, por mes kryetarit të PS dhe 55 kryetarëve të bashkive të PS. Kur partia ka nevojë për riorganizim, është mëse normale ta ndërmarrë atë për t’i shërbyer më mirë qytetarëve”, u shpreh ai.

Ai shtoi se drejtorët që kanë dhënë dorëheqjen janë të mirëpritur të rikandidojnë në pozicione të reja, duke theksuar se ky është një proces i hapur dhe meritokratik.

Ministri njoftoi gjithashtu krijimin e Akademisë së Pushtetit Vendor, një angazhim i hershëm i qeverisë, që do të ketë si qëllim rritjen e aftësive të stafit të bashkive dhe ndarjen e praktikave më të mira.

“Bashkitë kanë ende mungesa kapacitetesh. Akademia do të përzgjedhë më të mirët në fusha të ndryshme për t’i trajnuar të tjerët dhe për të nxitur shkëmbimin e përvojave, si brenda vendit, ashtu edhe me vendet partnere si Zvicra, Austria apo Holanda”, theksoi Mazniku.

Sipas tij, kjo është një nga mënyrat më efikase për të përgatitur pushtetin vendor për rolin e tij në procesin e integrimit evropian dhe për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm në nivel lokal.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›