E Martë, 3 Nëntor 2026

Denaj: Synimi, 1000 hektarë serra deri në vitin 2030

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë një interviste në media sot, foli mbi zhvillimet e sektorit bujqësor dhe agroturizmit, si dhe mbi mbështetjen e vazhdueshme që po jep qeveria për këto sektorë strategjikë.

Denaj bëri të ditur se deri më tani janë ndërtuar 122 agroturizma dhe janë mbështetur 400 pika grumbullimi, por theksoi se nevoja për investime të mëtejshme mbetet ende e lartë.
Në fokus të intervistës ishte edhe skema e re për ndërtimin e shtëpizave të prodhimit, përpunimit dhe magazinimit, që synon të fuqizojë kapacitetet vendase dhe të përmbushë kërkesat e tregut.

“Nëse nuk ndërtojmë më shumë stabilimente për mbarështimin e kafshëve, nuk do të arrijmë të përmbushim atë që kërkon tregu. Ky proces, në katër vitet e ardhshme, ka shumë për të arritur”, tha Denaj.

Në lidhje me objektivat afatgjata të sektorit, Denaj u shpreh se synimi është të arrihet në 1000 hektarë serra deri në vitin 2030, dhe përgatitja për të përfituar nga skemat e subvencioneve të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian.

Ajo shprehu besimin se Shqipëria është në rrugën drejt përfshirjes në programet e reja financiare evropiane, si IPARD III, i cili pritet të hapet në fund të vitit të ardhshëm.

Deri atëherë, qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion rreth 70 milionë euro në vit për subvencione.

“Janë gati 300 milionë euro fonde të parashikuara për Shqipërinë. Kërkesa për fonde nga fermerët është legjitime dhe qeveria është e angazhuar për të qenë në terren dhe për të mbështetur çdo aplikim serioz”, theksoi Denaj.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›