E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshojnë prefektët në Durrës dhe Korçë, Erlind Sulo emërohet zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë

Mbledhja e sotme e Këshillit të Ministrave është shoqëruar me disa lëvizje në nivele drejtuese, duke prekur inspektoriatet, institucionet e kulturës, përfaqësuesit e qeverisë në qarqe, si dhe kabinetin e zëvendësministrave.

Rokadë te prefektët në Durrës dhe Korçë, ikin Jole dhe Jani

Qeveria ka vendosur të ndryshojë edhe drejtuesit e dy qarqeve të rëndësishme të vendit, Durrësit dhe Korçës. Në Durrës, Emiljan Jani lirohet nga detyra dhe në vend të tij emërohet Adrian Gurra.

Në Korçë, Nertil Jole largohet nga posti i prefektit, për t’u zëvendësuar nga Florinda Zegullaj.

Krahas shkarkimeve, Këshilli i Ministrave ka bërë edhe një emërim të ri në nivel zëvendësministri. Erlind Sulo është emëruar Zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Largohen Hajdari dhe Misha

Me propozim të Kryeministrit, qeveria ka vendosur lirimin nga detyra të Shkëlqim Hajdarit, i cili mbante postin e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Përgjithshëm.

Gjithashtu, ndryshime ka pasur edhe në drejtimin e institucioneve të kulturës. Piro Misha është liruar nga detyra e Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, një post që e mbante prej vitesh. Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Të gjitha vendimet hyjnë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›