E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndryshon ligji për Koncesionet, ministrja Ibrahimaj prezanton draftin e ri: Instrument kyç për transparencën dhe për të forcuar kontrollin mbi paratë publike

Ndryshon ligji për Koncesionet/ Ibrahimaj prezanton “sitën” e re për PPP-të: Fund projekteve pa garë dhe kontroll të rreptë Bashkive

Qeveria ka vendosur të ndryshojë mënyrën se si jepen dhe menaxhohen Koncesionet dhe Partneritetet Publik-Privat (PPP). Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot në Kuvend projektligjin e ri, i cili vjen si një kërkesë e Bashkimit Evropian dhe është hartuar me asistencën e SIGMA/OECD.

Sipas Ibrahimaj, “ky ligj nuk është thjesht një procedurë burokratike, por një instrument kyç për të mbrojtur paranë publike, duke integruar PPP-të në sistemin kombëtar të investimeve”.

Ministrja bëri një pasqyrë të situatës aktuale, duke theksuar peshën e madhe që këto kontrata kanë në ekonominë shqiptare. Deri në vitin 2024, numërohen 233 kontrata koncesionare, kryesisht në infrastrukturë dhe energji, me një vlerë investimesh që arrin në 27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Ibrahimaj ka saktësuar se vetëm 11 prej këtyre kontratave marrin mbështetje direkte nga buxheti i shtetit, duke zënë vetëm 2.2% të të ardhurave tatimore (nga 5% që është tavani ligjor).

Sipas saj, projektligji sjell filtra të shumëfishtë sigurie para se një kontratë të firmoset. Risia kryesore është se asnjë PPP nuk do të jetë më një “ishull i izoluar”; ato do të trajtohen njëlloj si investimet publike.

Pikat kyçe të reformës përfshijnë:

Çdo projekt do t’i nënshtrohet analizës së fizibilitetit teknik dhe financiar para miratimit.

Vendosen kritere të forta që njësitë vendore (Bashkitë) të mos hyjnë në kontrata afatgjata pa pasur kapacitete financiare.

Pranë çdo institucioni do të krijohen njësitë e posaçme që do të monitorojnë zbatimin e kontratës në kohë reale.

Çdo projekt me ndikim financiar duhet të marrë miratimin ex-ante nga Ministria e Financave.

Funksionalizimi i plotë i Regjistrit Elektronik të Koncesioneve, ku do të publikohen dokumentet e procedurave.

Në fjalën e saj, Ibrahimaj theksoi se ligji i ri është përgjigja ndaj kritikave të ngritura ndër vite për rritjen e kostove apo borxhet e fshehura.

“Lidhja me sistemin e investimeve publike i jep fund devijimeve, ndërsa parimi ‘Vlera e parasë’ ndalon mbifaturimet,”, u shpreh ministrja, duke ftuar deputetët të votojnë një ligj që sipas saj, afron Shqipërinë me standardet e vendeve të zhvilluara të BE-së.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›