E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetja e PD, Tabaku akuza në Kuvend: Nga 12 kontrata koncesionare, 6 janë nën hetim, qeveria ka dështuar në menaxhimin e fondeve publike

Në diskutimet për buxhetin e vitit 2026, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka bërë një ekspoze të situatës së Partneritetit Publik-Privat (PPP) në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një arkitekturë të mirëfilltë të kapjes së shtetit. Përtej akuzave, Tabaku njoftoi dorëzimin e një pakete amendamentesh ligjore që synojnë të “kthejnë pronësinë” e fondeve publike te qytetarët.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Tabaku solli në vëmendje një statistikë. Sipas saj, gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është e angazhuar në kontrata koncesionare, integriteti i të cilave është rrëzuar nga organet e drejtësisë.

“Nga 12 kontrata koncesionare, 6 janë nën hetim,”, deklaroi ajo, duke theksuar se korrupsioni nuk është më sporadik, por një sistem i ndërtuar “gur mbi gur”.

Deputetja demokrate citoi raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për të mbështetur tezën e saj se “PPP-të po përdoren për pastrim parash”. Ajo lidhi drejtpërdrejt këtë klimë korruptive me largimin masiv të të rinjve, 1 në 4, të cilët, sipas saj, “braktisin vendin për shkak të mungesës së konkurrencës së ndershme.”

Për të sistemuar këtë sistem, Tabaku prezantoi amendamentet e propozuara nga PD, të cilat vendosin standarde të reja, strikte, të bazuara në direktivat e BE-së:

Publikim i detyrueshëm i çdo dokumenti, nga studimi i fizibilitetit deri te kontrata finale.

“Asnjë kontratë koncesionare e qeverisë nuk është publikuar deri më sot,” theksoi Tabaku.

Përjashtim automatik nga garat për çdo kompani që ka histori mashtrimi, korrupsioni, pastrimi parash apo lidhje me grupe kriminale.

Vendosja e kufizimeve për të ndaluar përqendrimin e kontratave.

Sipas Tabakut, aktualisht “80% e PPP-ve janë në duart e 5–10 operatorëve të lidhur me qeverinë”.

Masa kundër skemave të fshehta midis kompanive (“bid rigging”), konfliktit të interesit dhe deklaratave të rreme në tendera.

“Këto janë standardet minimale evropiane. Pa transparencë dhe pa kufizimin e aksesit në para publike, PPP-të mbeten instrument i abuzimit, jo i zhvillimit,”, përfundoi Tabaku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›