AmCham shpreh shqetësim për projektligjin e “Paqes Fiskale”

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) shprehu sot shqetësimin për projektligjin “Për marrëveshjen e Paqes Fiskale”, i cili pritet të miratohet në seancën plenare të Kuvendit.
Në një deklaratë zyrtare, AmCham vlerëson se nisma paraqet problematika juridike, ekonomike dhe të qeverisjes fiskale, duke krijuar, sipas saj, trajtim të pabarabartë mes bizneseve.
Sipas Dhomës, projektligji penalizon subjektet që kanë deklaruar rregullisht fitimet, ndërsa favorizon ato që kanë shmangur detyrimet tatimore.
Parashikimi i një rritjeje të detyrueshme prej 18% të fitimit të vitit paraardhës, pavarësisht performancës reale, konsiderohet nga AmCham si një formulë arbitrare që rrezikon të zëvendësojë procesin e vetëdeklarimit dhe të krijojë barrë të padrejtë për tatimpaguesit korrektë.
Dhoma ngre gjithashtu shqetësime për lejimin e rideklarimit të pasqyrave financiare të pesë viteve të fundit me normë tatimi vetëm 5%, pa kërkesë për dokumentacion mbështetës apo verifikim të origjinës së fondeve.
Sipas saj, kjo krijon hapësirë për legalizimin e kapitaleve me burim të paqartë dhe mund të perceptohet si formë e tërthortë amnistie fiskale, duke rrezikuar reputacionin ndërkombëtar të vendit dhe vlerësimet nga BE dhe Moneyval.
AmCham thekson se projektligji cenon parimet kushtetuese të barazisë para ligjit, sigurisë juridike dhe proporcionalitetit, ndërsa kufizimi i kontrolleve tatimore dhe mungesa e kritereve të qarta për përzgjedhjen e tatimpaguesve rrit rrezikun për abuzime dhe korrupsion.
Dhoma vëren se normat preferenciale të skemës krijojnë një hendek të madh me tatimin e rregullt, duke ulur të ardhurat buxhetore dhe duke nxitur shmangien tatimore.
Në deklaratë nënvizohet edhe mungesa e transparencës dhe konsultimit publik gjatë hartimit të nismës, çka, sipas AmCham, dëmton besimin e bizneseve dhe cilësinë e procesit ligjvënës.
Dhoma Amerikane kërkon rishikimin e plotë të projektligjit, duke theksuar nevojën për politika fiskale që nxisin formalizimin, garantojnë konkurrencë të drejtë, forcojnë administratën tatimore dhe ruajnë besimin e komunitetit të biznesit, si dhe reputacionin ndërkombëtar të vendit.
/a.f/r.e/