Në Divjakë nis vjelja e shalqirit për eksport, Denaj: “Made in Albania” po depërton tregjet e huaja

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Fermerët e zonës Lushnjë-Fier kanë nisur eksportet e para të shalqirit drejt tregjeve të Bashkimit Evropian.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale pamje nga ferma e Blerand Sinës në Tërbuf, Divjakë, ku ka nisur vjelja e shalqirit për eksport.
Denaj e cilësoi eksportin e bostanëve një tjetër dëshmi e potencialit të bujqësisë shqiptare dhe e punës së palodhur të fermerëve, që siç tha ajo “e kanë kthyer tokën në burim zhvillimi dhe krenarie kombëtare”.
“Me përkushtim dhe standarde të larta, prodhimi cilësor “Made in Albanai” po depërton gjithnjë e më fort në tregjet e huaja, duke na afruar me objektivin ambicioz për të arritur 1 miliard euro eksporte bujqësore deri në vitin 2030″, u shpreh Denaj.
Shqipëria po i fuqizon gjithnjë e më shumë pozitat e saj në tregun e huaj, ku dominon me eksportet e prodhimeve bujqësore, drejt vendeve të rajonit dhe BE-së.
Eksportet e fermerëve shqiptarë vitin e kaluar shënuar afërsisht shifrën mbi 30 mijë tonë shalqi, kryesisht në vendet e Ballkanit, por edhe në tregjet e BE-së, që janë edhe tregjet më atraktive për këtë produkt. /j.p/
1 nga 4