E Martë, 3 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Avancojmë projektet me BERZH-in për fuqizimin e biznesit dhe të startup-eve

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Fuqizimi i biznesit dhe i startup-eve shqiptare ishte në fokus të takimit që zhvilloi ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, me partnerët nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Këshilli Ekonomik Kombëtar.

Ibrahimaj vlerësoi mbështetjen e BERZH që prej vitesh është një partner kyç për Shqipërinë në ndërtimin e kapaciteteve të sipërmarrjes, zhvillimin e aksesit në financë dhe forcimin e konkurrueshmërisë së bizneseve.

“Po avancojmë me projektet për promovimin e ofertës shqiptare në tregjet ndërkombëtare dhe tërheqjen e investimeve të reja”, tha ministrja.

Duke u ndalur në punën e nisur me trajnimet për tregun e vetëm të BE-së, Ibrahimaj bëri të ditur se, shumë shpejt do të nisë një studim kombëtar për të matur gatishmërinë e ndërmarrjeve për ndërtimin e programeve konkrete që adresojnë nevojat e tyre reale.

Ibrahimaj tha se, “në bashkëpunim me BERZH dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, po krijojmë mekanizmat e nevojshëm për konsulencë dhe ekspertizë të dedikuar, që bizneset shqiptare të jenë më të përgatitura për të përthithur fondet e Bashkimit Europian”.

Ajo e vlerësoi këtë bashkëpunim si dëshmi e vizionit të qeverisë, për të ndërtuar një ekonomi moderne, të qëndrueshme dhe të gatshme për tregjet europiane. /j.p/

1 nga 4

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›