E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Në Kohë Reale” në RTSH – Skandal në burg, një person me precedentë të theksuar kriminal përndjek të miturën 16-vjeçare nga qelia e paraburgimit

Një rast i rëndë dhe delikat ka tronditur opinionin publik pasi u bë i ditur në emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH, ku u raportua për përndjekjen e një të miture vetëm 16-vjeçare nga një person me precedentë të theksuar kriminal, i cili ndodhej në qeli paraburgimi.

Gazetarja e RTSH, Bleona Prengezaj, njoftoi se specialistët e Policisë së Tiranës i kanë referuar Prokurorisë së Kryeqytetit materialet hetimore ndaj shtetasit Jetmir Llanaj, i cili dyshohet se ka ushtruar përndjekje sistematike ndaj 16-vjeçares, pavarësisht se ndodhej në izolim.

Sipas raportimit, Llanaj, i cili ndodhet në qeli që prej marsit të këtij viti, dyshohet se nuk vepronte vetëm. Ai bashkëpunonte me një person tjetër jashtë burgut për të realizuar përndjekjen.

“Rasti është objekt hetimi pasi përndjekjen Llanaj e realizonte ndërkohë që ndodhet në qeli,” tha Prengezaj. “Pritet të nisë një hetim intensiv për të zbuluar se si është bërë e mundur që nga brenda qelisë ai të komunikonte dhe të përndiqte 16-vjeçaren.”

Gjendje e rëndë psikologjike e viktimës

Gjendja e të miturës është tepër shqetësuese. Gazetarja konfirmoi se vajza ndodhet në një “gjendje të rënduar psikologjike” dhe si pasojë e stresit ka pësuar edhe akte vetë-lëndimi. Për shkak të gjendjes së saj të rëndë, ajo nuk ka mundur të japë detaje të shumta rreth natyrës së njohjes me Llanajn apo mekanizmave të komunikimit.

Profili i të akuzuarit

Jetmir Llanaj njihet si një figurë e lidhur me botën e krimit. Gazetarja theksoi se ai ka akuzohet për vendosje gjobash duke përdorur të mitur, dhe më herët ka qenë i dënuar me burg për një vrasje me motive hakmarrjeje.

Sipas saj, ky rast ngre pyetje mbi sigurinë brenda institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale dhe mekanizmat e kontrollit mbi të paraburgosurit me rrezikshmëri të lartë.

Prokuroria pritet të zbulojë detaje të reja pasi të nisë hetimi për bashkëpunimin e supozuar jashtë mureve të burgut.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›