E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në kërkim për trafik narkotikësh, arrestohet 56-vjeçari shqiptar në Belgjikë

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Një 56-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia në Belgjikë pasi ishte shpallur në kërkim për trafik narkotikësh.

Policia e Shtetit njoftoi sot se “FAST Albania në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë me rrjetin ENFAST dhe homologët e FAST Holandës dhe FAST Belgjikës, bënë të mundur lokalizimin dhe arrestimin në Belgjikë të Shkëlqim Vokrit, 56 vjeç, banues në Dërmenas, Fier, i cili posedonte dokument me shtetësi holandeze”.

Sipas policisë “ky shtetas rezultonte i shpallur në kërkim nga autoritetet e shtetit holandez, pasi, bazuar në urdhrin e arrestit europian dhe ndërkombëtar (EAW/IAW), duhet të vazhdojë vuajtjen e dënimit prej 686 ditësh burgim të mbetura, lidhur me veprën penale të “Shkeljes së aktit për drogat” (trafikim të lëndëve narkotike), të parashikuar nga Kodi Penal Holandez, në lidhje me transportin e 250 kg kokainë në shtetin holandez”.

Policia bëri të ditur se ky operacion i suksesshëm u realizua nga shkëmbimi në kohë reale të informacionit të siguruar nga Fast Albania dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet strukturave të FAST Albania, dhe partnerëve ndërkombëtarë, konkretisht me FAST Holandën dhe FAST Belgjikën.

/m.q/J.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›