Shkodër, asgjësohen rreth 2 mijë bimë narkotike

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinata”, gjatë kontrolleve në territor, u gjetën dhe u asgjësuan 1987 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa në qarkun Shkodër.
Policia procedoi penalisht, për shpërdorim të detyrave, 3 kryetarë fshatrash.
“Në territorin e njësive administrative Gur i Zi dhe Postribë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 186 bimë të dyshuara narkotike canabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Shpor, shtetasin M. C., për kryetarin e fshatit Ura e Shtrenjt, shtetasin R. M., dhe për kryetarin e fshatit Vilez, shtetasin F. L”, njoftoi policia.
Sipas policisë në territorin e njësisë administrative Shllak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 1801 bimë të dyshuara narkotike canabis sativa.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike. /j.p/