E Hënë, 2 Nëntor 2026

Manastirliu: Fuqia e grave lëviz Tiranën 2030, hapësira më të mëdha për punësim

Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, zhvilloi sot një bashkëbisedim me gra dhe vajza në Kashar, ku shpalosi në detaje vizionin e saj për kryeqytetin, me fokus të thellë tek fuqizimi i grave dhe investimet në kujdesin social.

Nën moton “Tirana 2030,” Manastirliu premtoi një qytet që nuk do të lërë askënd pas dhe do t’i japë grave mundësi të reja zhvillimi.

“Tirana 2030 duhet të jetë qyteti që i jep mundësi grave, nënave, të kenë më shumë hapësira për punësim, falë mbështetjes dhe investimeve në çerdhe, kopshte, shkolla,” deklaroi kandidatja.

Manastirliu theksoi se investimi në infrastrukturën e kujdesit për fëmijët është thelbësor për të çliruar kohën e grave dhe për t’i lejuar ato të kenë më shumë hapësirë në tregun e punës. Ajo shtoi se do të krijojë hapësira ku fëmijët mund të qëndrojnë edhe pas orarit mësimor në shkollë.

Fuqia e gruas në zemër të ndryshimit

Duke u fokusuar te rëndësia e rolit të tyre, Manastirliu e quajti forcën e grave si motorin e ndryshimit për familjen, komunitetin dhe qytetin.

“Unë e di dhe jam tërësisht e vetëdijshme se çfarë hallesh, problemesh dhe sakrificash kalojmë ne gratë… por e di mirë që fuqia jonë është fuqia që e çon Tiranën përpara,” tha ajo, duke treguar njohje të thellë të barrës dhe përgjegjësisë që mbajnë gratë në jetën e përditshme.

Në vizionin e saj, Tirana 2030 do të jetë gjithashtu qyteti i hapësirave publike, të cilat po çlirohen për t’i shërbyer komuniteteve. Këto hapësira do të jenë plot parqe, vende çlodhëse dhe hapësira sportive në lagjet e banimit, duke afruar më shumë komunitetet me njëri-tjetrin.

Mesazhi i Manastirliut ishte se plani i saj për Tiranën bazohet në zhvillimin social dhe ekonomik, duke vendosur gratë dhe familjet në epiqendër të investimeve bashkiake.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›