E Hënë, 2 Nëntor 2026

Protesta e minatorëve të Spaçit, përfaqësuesi i sindikatës: Nëse nuk ka reagim, do ta përshkallëzojmë

Protesta e minatorëve të Spaçit është në ditën e 14-të ndërsa kanë dështuar edhe negociatat mes minatorëve dhe kompanisë për rifillim të punës.

Në një lidhje të drejtpërdrejt për emision “Në kohë reale”, nën moderimin e Flori Gjinit, përfaqësuesi i sindikatës së minatorëve të Spaçit, Albert Bushpreni, deklaron se kërkesat janë adresuar prej kohësh dhe janë ndjekur të gjitha hapat ligjorë përpara se të ndërmerrej protesta.

“Kemi ngritur kërkesat për përmirësim page dhe kushtesh pune. U organizuam dhe krijuam sindikatën. Zoteria (përfaqësuesi i kompanisë) kaloi të gjitha afatet për t’u ulur me ne dhe për t’i shqyrtuar ato. Jemi ankuar vazhdimisht. Dy herë është kthyer thirrja e sindikatës me përgjigjen: ‘jemi me borxhe, nuk ju rrisim dot rrogat. Kërkesa jonë kryesore është rikthimi i dinjitetit, sepse jemi njerëz. Kërkojmë njohjen e sindikatës dhe më pas rritjen e pagave. Është absurde që një minator, që futet nëntokë, të marrë vetëm 3 mijë lekë në ditë”, tha ai.

Punonjësit akuzojnë kompaninë për shkelje të të drejtave të punës dhe përpjekje për të dobësuar sindikatën ndërsa reagimin e saj e konsiderojnë mashtrim.

“Deklarata e tyre është një pacavure. Janë mashtrime. Nuk ishim ne që e shkaktuam protestën, por ata duke shkelur konventat dhe Kodin e Punës. Qëllimi i vetëm është të pakësohet ndikimi i sindikatës. Pronari nuk e do sindikatën!”, shprehet Bushpreni.

Punonjësit denoncojnë gjithashtu mungesën e vullnetit për të dialoguar.

“Nuk na kanë pranuar as të ulemi në një tryezë të përbashkët me bashkinë. Një ditë më parë thirrëm Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, me drejtorin e caktuar nga ajo ministri për ndërmjetësim. Por sapo panë që kishim sjellë tre përfaqësues, vunë veton: ‘duam edhe ne tre’. Kjo nuk është mënyrë për të zgjidhur konfliktin”, shton ai.

Punonjësit paralajmërojnë se nëse nuk merren seriozisht kërkesat e tyre, protesta do të përshkallëzohet.

“Protesta nuk do të ndalet. Nëse nuk ka reagim, do të kalojmë në grevë urie dhe masa të tjera më të rënda”, theksoi ai në emër të punonjësve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›