E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Në patrullë për qetësinë e shkollës” – Ja si nis dita për oficerin e sigurisë, Valmir Kotrri

Para se të bjerë zilja e parë e mëngjesit në shkollën “Xheladin Fishta”, në oborr gjendet tashmë një figurë e njohur për të gjithë nxënësit. Është Valmir Kotrri, oficeri i sigurisë, i cili çdo ditë e nis me të njëjtin përkushtim, të sigurohet që dita shkollore të rrjedhë pa asnjë incident dhe që çdo fëmijë të ndihet i mbrojtur.

“Para gjithë fëmijëve, vij përpara shkollës, monitoroj hyrjet e shkollës, nxënësit që vijnë në klasa, tualetet pasi aty ndodhin problematikat më të mëdha. Ka problematika të vogla, por zgjidhen. Unë i këshilloj, ata ndalojnë”, tha Kotrri.

Puna e oficerit të sigurisë është bërë pjesë e pandashme e jetës shkollore. Ai është ura mes nxënësve, mësuesve dhe prindërve, e për këta të fundit ka edhe një mesazh.

“Prindërit duhet të bashkëpunojnë e komunikojnë me fëmijët e tyre. Ata duhet të japin mesazhin që ne kemi të drejtë për punën që ne bëjmë, pasi është në të mirën e fëmijëve”, shtoi ai.

Roli i tij shkon përtej rendit dhe disiplinës. Valmiri tregon se gjatë këtij muaj nuk kanë munguar as rastet e parandalimit të konflikteve të mundshme

Në fund të ditës, kur oborri boshatiset dhe zhurma shuhet, Valmir Kotrri ndien një lloj qetësie që vjen vetëm kur e di se çdo fëmijë ka dalë i sigurt nga dera e shkollës ku marrin dije rreth 500 nxënës. Në Shkodër aktualisht janë 13 oficer sigurie ku 4 prej tyre janë shtuar këtë fillim viti shkollor.

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›