E Diel, 1 Nëntor 2026

Në qendrën e pensionistëve në Durrës – Ngrohje, shoqëri dhe kohë aktive për të moshuarit

Që në orët e para të mëngjesit, qendra e pensionistëve kthehet në një nga ambientet më të frekuentuara nga të moshuarit.

Mbi 30 pensionistë zgjedhin ta nisin ditën së bashku, në një hapësirë ku komunikimi, shoqëria dhe aktivitetet e përbashkëta janë pjesë e përditshmërisë. Ata tregojnë se edhe gjatë ditëve të ftohta kanë të siguruar ngrohjen, ndërsa kushtet i vlerësojnë të përshtatshme për qëndrim.

Koha kalon mes lojërave me letra, shahut dhe leximit të shtypit të shkruar, ndërsa bisedat shpesh ndalen edhe te shqetësimet ekonomike.

Pensionistët theksojnë se pensionet, si dhe shtesa e fundit e miratuar, mbeten të pamjaftueshme përballë rritjes së çmimeve dhe shpenzimeve të përditshme.

Përtej qëndrimit në qendër, të moshuarit nuk heqin dorë as nga ecjet në shëtitore, veçanërisht në ditët kur moti është i qëndrueshëm dhe pa reshje.

Për ta, këto aktivitete nuk janë vetëm mënyrë për të kaluar kohën, por një përpjekje për të qëndruar aktivë, të lidhur me njëri-tjetrin dhe larg izolimit social.

 Gazetare: Shkurte Elezaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›