Negociatat me Iranin, Trump kërcënon sërish: Nëse ata nuk bien dakord, do të bëhemi makth i tyre

Gjatë një takimi me kabinetin e tij, presidenti i SHBA Donald Trump përsëriti edhe një herë se Irani duhet të negociojë një marrëveshje për të përfunduar luftën, duke paralajmëruar gjithashtu se SHBA do të vazhdojnë “t’i shkatërrojnë ata” nëse Teherani nuk ulet në tavolinën e negociatave.
Gjatë takimit, Steve Witkoff, dërguari i veçantë i Trump, konfirmoi se SHBA i kishte paraqitur Iranit një plan paqeje me 15 pika. Witkoff nuk ofroi detaje për këtë propozim.
LEXO EDHE: Irani kërcënon me përshkallëzim të situatës në një tjetër ngushticë strategjike
Trump nuk e përmendi refuzimin fillestar të Iranit ndaj planit, as vendimin e tij për të dërguar trupa tokësore në Lindjen e Mesme, ai thjesht argumentoi se topi ishte në duar të Iranit dhe paralajmëroi regjimin për pasoja të rënda nëse nuk pranon një armëpushim.
“Nëse ata nuk bien dakord, ne do të bëhemi një makth i tyre,” tha Trump.
“Do të vazhdojmë t’i shkatërrojmë ata. Pa pengesa, pa ndalim”, vijoi presidenti amerikan.
Gjatë takimit nuk u sqarua mënyra se si SHBA do të arrijë që Irani të ulet në tavolinë për negociata, as për arsyen pse një valë e re sulmesh do të ndryshonte qëndrimin e Teheranit, nëse lufta e zhvilluar për gati katër javë nuk ka arritur ta bëjë këtë.