“Nesër është prova e madhe”/ Policia publikon masat për protestën e nesërme të Opozitës. Rrugët që bllokohen

Policia e Tiranës, ka publikuar këtë të premte, 23 janar, masat që do të ndërmerren për protestën kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike, që do të mbahet të shtunën, 24 janar, në orën 17:00 përpara Kryeministrisë.
Sipas njoftimit zyrtar të uniformave blu, do të nisë nga sot, ora 23:45, kufizimi i lëvizjes dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”. Kjo, deri në përfundim të tubimit.
Më pas, nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.
Në këto raste, blutë shprehenm se do të ndërmerren masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve më rrugë alternetive.
Gjatë konferencës së sotme për shtyp, kreu i PD, Sali Berisha tha se të shtunën e 24 janarit, qytetarët shqiptar do t’i bëjnë gjyqit kryeministrit Rama.
Madje ditën e nesërme e konsideroi si “Ditën e Gjykimit” për këtë qeveri.
“Nesër është prova e madhe, është dita e guximit, e revoltës, e zemërimit, e ngadhënjimit qytetar mbi të keqen më të madhe që ka mbërthyer Shqipërinë, që ka pllakosur këtë vend nga ditët e zeza të diktaturës hoxhiste gjer sot. Nesër qytetarët, populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit të këtij kombi. I bën gjyqin kryeministrit të lidhur kokë e këmbë me vrasës, banditë, trafikantë. I bën gjyqin antishqiptarit më të zi të kohërave që ka përzënë nga ky vend në 10 vite 1 milion e 100 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën evropiane, pa llogaritur hapësira të tjera. Nesër i bën gjyqin një armiku të egër të lirive të shqiptarëve, të votës së tyre. Një njeriu që qëndron në pushtet duke përdorur çdo mjet të paligjshëm, duke shkelmuar Kushtetutën. Por nesër është dita e gjykimit të popullit shqiptar për një organizatë kriminale që nuk e ka sot asnjë vend tjetër në Europë”, tha ndër të tjera Berisha.