Neza: Protesta e opozitës nuk ishte thjesht tubim, por zemërim i akumuluar

Në emisionin “3D” të moderuar nga gazetari Alban Dudushi, analisti Sami Neza komentoi protestën e fundit të opozitës duke e cilësuar atë si një shfaqje të qartë të zemërimit popullor.
Ai theksoi se zemërimi i qytetarëve është një fenomen që qeveria duhet ta marrë seriozisht dhe ta menaxhojë me kujdes, pasi sipas tij, nuk është thjesht një reagim i momentit, por një ndjenjë që po shndërrohet në rezistencë të vazhdueshme.
“Menaxhimi i zemërimit është një problem që duhet ta konsiderojë qeveria, pavarësisht asaj deklarate cinike ndaj protestës që bëri kryeministri Rama. Zemërimi i njerëzve mund të menaxhohet në hapin e parë, mund të menaxhohet në hapin e dytë, por më tej është shumë e vështirë dhe nganjëherë është e pamundur që të menaxhohet për të shmangur zemërimin nga rreziku” u shpreh Neza.
Ai shtoi se ka ndjekur me vëmendje të gjitha protestat e opozitës, por këtë herë dalloi një element të ri që e bën situatën më të ndjeshme.
“Unë e kam ndjekur gjithë kohës protestat dhe ajo që unë veçoj këtë herë ishte një turmë e zemëruar që nuk u mbyll me mbylljen e protestës, por vijoi dhe më tej” tha analisti.
Duke e cilësuar këtë si një fazë të re të reagimit qytetar, Neza paralajmëroi se zemërimi nuk është më i kufizuar vetëm brenda kornizës së protestës, por po shndërrohet në një formë rezistence ndaj qeverisë.
“Kjo do të thotë që kemi një kapërcim, një hap tjetër me rezistencën e qytetarëve ndaj qeverisë dhe sidomos rezistencë ndaj asaj që po bën kryeministri në raport me drejtësinë” përfundoi ai.
/rtsh.al/