E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nga Gramshi, një shembull suksesi i bujqësisë moderne “Made in Albania”

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/  Skema Kombëtare e Investimeve po nxit zhvillimin e bujqësisë  duke mbështetur fermerët dhe sipërmarrësit e sektorit privat.

Një shembull i qartë është historia e Kodhel Çalës nga Gramshi, i cili në vitin 2014 vendosi t’i përkushtohej plotësisht bujqësisë dhe të ndërtonte një aktivitet të qëndrueshëm në vendin e tij.

Me mbështetjen e qeverisë dhe përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, Kodheli ka përfituar një traktor dhe një pompë spërkatëse, të cilat kanë rritur efikasitetin e punës, kanë ulur lodhjen fizike dhe kostot e prodhimit, duke përmirësuar ndjeshëm proceset ditore në plantacionin e tij prej 5.7 hektarësh ullinjsh.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Gramshit, Besjan Ajazi vizituan plantacionin me ullinj, teksa diskutuan me Kodhelin mbi ndikimin e drejtpërdrejtë të skemës në uljen e kostove dhe rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin e ekonomisë lokale.

Në fermën me ullinj, Kodheli ka punësuar banorë të zonës, duke krijuar mundësi për familjet lokale dhe duke kontribuar në gjallërimin e ekonomisë së Gramshit.

Plantacioni i tij vazhdon të prodhojë vaj ulliri cilësor “MadeInAlbania”, duke dëshmuar se mbështetja e duhur dhe investimet strategjike mund të shndërrohen në histori suksesi.

1 nga 3

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›