Drejtori i Tatimeve: Më pak kontrolle, më shumë cilësi dhe profesionalizëm

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, deklaroi sot gjatë një takimi pune me përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham) se dialogu me biznesin mbetet thelbësor dhe se Administrata Tatimore ka hyrë në një fazë të re reflektimi dhe bashkëpunimi.
Binaj theksoi se, megjithëse rolet e administratës dhe biznesit janë të ndryshme, qëllimi final është i përbashkët: zhvillimi ekonomik dhe një sistem tatimor i drejtë.
Ai u shpreh se Administrata Tatimore ka perpara një vit sfidues qe lidhet me implementimin e paketes se re fiskale dhe masat lehtësuese për tatimpaguesit. Sipas tij, fokusi kryesor është formalizimi më i thellë i ekonomisë, jo përmes shtimit të kontrolleve, por përmes rritjes së profesionalizmit dhe cilësisë së tyre.
“Prioritetet tona për vitin e ardhshëm janë zbatimi i paketës së re fiskale, paqja fiskale, falja e detyrimeve, rimbursimi DIVA për individët dhe rimbursimi i TVSH-së për fermerët; formalizimi i ekonomisë me fokus të veçantë tek pagat, duke kryer më pak kontrolle, por më të thelluara e më cilësore, veçanërisht në sektorët e ndërtimit, turizmit dhe sigurisë ushqimore; si dhe harmonizimi me BE-në në kuadër të Kapitullit 16 “Tatimet”, ku po punohet intensivisht për harmonizimin dhe implementimin e 15 direktivave të rëndësishme”, u shpreh kreu i DPT-së.
Binaj theksoi se administrata moderne tatimore duhet parë jo vetëm si strukturë zbatuese, por si partner që orienton, edukon dhe krijon kushte të drejta për të gjithë tatimpaguesit.
Ai solli disa shembuj të digjitalizimit të shërbimeve, nga parambushja e deklaratave deri te sistemet e reja të komunikimit me bankat, që synojnë thjeshtësimin e proceseve për qytetarët dhe bizneset.
“Në thelb, administrata jonë tatimore synon të balancojë objektivat kryesore: barazinë, që garanton shpërndarjen e drejtë të barrës tatimore; efikasitetin, që minimizon ndikimin e taksimit te individët dhe bizneset; thjeshtësinë, për ta bërë sistemin sa më të kuptueshëm dhe të aksesueshëm; dhe pajtueshmërinë”, nënvizoi ai.
Binaj e cilësoi Administratën Tatimore si një nga strukturat më efikase të shtetit, e cila edhe me vetëm 1400 punonjës arrin të mbledhë rreth 4.5 miliardë euro dhe t’u shërbejë 140 mijë tatimpaguesve. j.p/
1 nga 7