Nga agjërimi i parë tek iftaret familjare, Xhevat Spahia rrëfen momentet e bashkimit rreth sofrës

Xhevat Spahia nga Kolesjani na pret me dyer të hapura për të na treguar për muajin e Ramazanit. Ai kujton se agjërimin e parë e ka nisur në vitin 1992, plot 34 vite më parë.
“Unë kam nisur Ramazanin në 1992 dhe nuk e ka prishur asnjë ditë. Ishte kënaqësi shumë e madhe”, tha ai.
Për të, momenti më i bukur është çelja e iftarit. Ai e përshkruan atë çast si një gëzim të veçantë, kur familja mblidhet rreth sofrës dhe falënderimi bëhet më i ndjerë. Ramazanin e konsideron festë shpirtërore, një kohë reflektimi
“Gëzimi më i madh është iftari, se i ke lënë krejt punët mënjanë dhe i je përkushtuar në familje”, tha ai.
Në Kolesjan, një fshat thuajse tërësisht mysliman, agjërimi është traditë e trashëguar ndër breza. Në familjen e tij, çdo pjesëtar agjëron. Xhevati tregon se për iftar mblidhen së bashku, shpesh në shtëpitë e të afërmve, duke e kthyer këtë moment në një bashkim familjar.
“Ne jemi një fshat që e përkrahim shumë fenë. Jemi familje e madhe dhe të gjithë mbajmë Ramazan”, tha ai.
Në përfundim të muajit të Ramazanit, gjithçka kurorëzohet me festën e Bajramit, ditë në të cilën çdo mysliman feston. Këtë vit, muaji i shenjtë i Ramazanit përfundon më 19 mars.
/rtsh.al/