E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga gazi lotsjellës te shoqërimi i të miturve, Avokati i Popullit nxjerr konstatimet për protestën

Avokati i Popullit thekson se përdorimi i forcës nga Policia e Shtetit duhet të përdoret vetëm kur është i domosdoshëm, i ligjshëm dhe proporcional në çdo protestë.

Deklarata e Avokatit të Popullit vjen pas monitorimit të ngjarjeve të së shtunës, kur protesta përpara Ministrisë së Arsimit u përshkallëzua në përplasje.

Protesta nisi rreth orës 12:00 të datës 31 tetor 2026. Rreth një orë më vonë situata u tensionua dhe u konstatua përdorimi i gazit lotsjellës dhe i ujit me presion nga katër automjete të posaçme të policisë.

Grupi i monitorimit i Avokatit të Popullit inspektoi komisariatet nr. 1, 3 dhe 4 dhe mori informacion nga komisariatet nr. 2, 5 dhe 6. Gjatë protestës u shoqëruan nëntë persona: gjashtë në Komisariatin nr. 1 dhe tre në Komisariatin nr. 3. Katër prej tyre ishin të mitur. Katër të rriturit e shoqëruar në Komisariatin nr. 1 deklaruan se ishin kalimtarë dhe nuk kishin marrë pjesë në protestë.

Dy të miturit e shoqëruar në Komisariatin nr. 1 u intervistuan në prani të psikologut dhe të Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, ndërsa familjet e tyre u njoftuan. Avokati i Popullit konstatoi sërish se në këtë komisariat mungon sistemi audioviziv për regjistrimin e intervistave.

Avokati i Popullit rekomandon verifikimin e plotë të përdorimit të forcës, me vlerësim të domosdoshmërisë, ligjshmërisë dhe proporcionalitetit të mjeteve, përfshirë gazin lotsjellës dhe ujin me presion. Ai kërkon gjithashtu instalimin e sistemit audioviziv për regjistrimin e intervistave në komisariate.

Sipas institucionit, duhet të dokumentohen arsyet konkrete për çdo shoqërim dhe çdo i ndaluar duhet të informohet për arsyet e ndalimit. Po ashtu, rekomandohet identifikimi i çdo punonjësi të policisë në çdo kohë, duke garantuar që uniforma të përmbajë numrin e identifikimit.

Avokati i Popullit fton çdo person që beson se të drejtat e tij janë shkelur gjatë protestës ose gjatë shoqërimit t’i drejtohet institucionit me ankesë individuale.

Njoftimi i plotë:

Avokati i Popullit thekson se përdorimi i forcës nga policia duhet të përdoret vetëm kur është i domosdoshëm, i ligjshëm dhe proporcional. Ky standard vlen për çdo protestë.

Protesta përpara Ministrisë së Arsimit filloi rreth orës 12:00 të së shtunës, 31 tetor 2026. Rreth një orë më vonë, situata u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Kostatuam përdorimin e gazit lotsjellës dhe të ujit me presion nga katër automjete të posaçme të policisë.

Grupi i monitorimit i Avokatit të Popullit inspektoi komisariatet nr. 1, 3 dhe 4 dhe mori informacion nga komisariatet nr. 2, 5 dhe 6.
Gjatë protestës u shoqëruan nëntë persona: gjashtë në Komisariatin nr. 1 dhe tre në Komisariatin nr. 3. Katër prej tyre ishin të mitur. Katër të rriturit në Komisariatin nr. 1 deklaruan se ishin kalimtarë dhe nuk kishin marrë pjesë në protestë.
Dy të miturit në Komisariatin nr. 1 u intervistuan në prani të psikologut dhe të Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, dhe familjet e tyre u njoftuan. U konstatua sërish se në këtë komisariat nuk ka sistem audioviziv për regjistrimin e intervistave.

Për në vijim Avokati i Popullit rekomandon:

• Verifikim të plotë të përdorimit të forcës, me vlerësim të domosdoshmërisë, ligjshmërisë dhe proporcionalitetit të mjeteve, përfshirë gazin lotsjellës dhe ujin me presion.
• Instalimin e sistemit audioviziv për regjistrimin e intervistave.
• Dokumentimin e arsyeve konkrete për çdo shoqërim, dhe informimin e çdo të ndaluari për arsyet e ndalimit.
* ⁠Identifikimin e çdo punonjësi të policisë në çdo kohë duke garantuar që uniforma përmban numrin e identifikimit.

Avokati i Popullit fton çdo person, i cili beson se të drejtat e tij janë shkelur gjatë protestës ose gjatë shoqërimit, t’i drejtohet institucionit me ankesë individuale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›