Sekretet e Michelangelos dalin në dritë pas 500 vitesh, zbulohet peneli i veçantë që përdori në kryeveprën e tij

Një zbulim i ri në Kapelën Sistine në Vatikan ka hedhur dritë mbi teknikat e veçanta të përdorura nga Michelangelo për realizimin e kryeveprës së tij “Gjykimi i Fundit”. Gjatë një ndërhyrjeje të posaçme mirëmbajtjeje, të zhvilluar në muajt shkurt dhe mars, restauruesit zbuluan se artisti përdorte në mënyrë sistematike një penel me disa maja, në formën e një krehëri, për të aplikuar ngjyrën mbi suva.
Bëhet fjalë për një instrument që mendohet të jetë projektuar dhe realizuar nga vetë Michelangelo. Zbulimi u bë gjatë punimeve të kryera nga Laboratori i Restaurimit i Muzeve të Vatikanit, të cilat kishin si qëllim pastrimin e murit të altarit të Kapelës Sistine nga depozitat e krijuara ndër vite. Megjithatë, ndërhyrja bëri të mundur edhe zbulimin e teknikave të përdorura nga artisti dhe të disa detajeve të fshehura në afresk.
Ky instrument i shërbente artistit jo vetëm për të përshpejtuar lyerjen e sipërfaqeve të mëdha, por edhe për t’i dhënë pikturës një efekt të ngjashëm me skulpturën. Vijat e kryqëzuara në drejtime të ndryshme krijonin një teknikë hijezimi që ngjante me gjurmët e lëna nga daltat me disa dhëmbë në sipërfaqen e mermerit.
Sipas drejtoreshës së Muzeve të Vatikanit, Barbara Jatta, Michelangelo pikturonte në mënyrë të jashtëzakonshme, ashtu siç do të punonte një skulptor. Ndryshe nga piktorët e tjerë, të cilët zakonisht i drejtojnë penelatat sipas formave anatomike të trupit, ai kryqëzonte vijat dhe ndryshonte vazhdimisht drejtimin e tyre. Në këtë mënyrë, arrinte të krijonte një lojë drite dhe hijeje që i bënte trupat në afresk të dukeshin më të gjallë dhe më të theksuar.
Punimet e fundit kanë bërë gjithashtu më të dukshme disa elemente që njiheshin pjesërisht edhe më parë. Në pjesën e poshtme të afreskut, në skenën e ringjalljes së trupave, mes palëve të veshjes së një figure alegorike që përfaqëson vdekjen, ndodhet një autoportret i fshehur i Michelangelos.
Ky detaj lidhet me një ngjarje të vitit 1541, kur artisti ra nga skela gjatë punës dhe pësoi një dëmtim të rëndë në këmbë. Pas shërimit, ai la një gjurmë të këtij incidenti në afresk, duke fshehur mes palëve të veshjes një fytyrë të dobësuar dhe të rrudhur, e cila ngjason me tiparet e tij dhe duket sikur vështron drejtpërdrejt personin që e sheh veprën.
Kuratori i Departamentit të Artit të shekujve XV dhe XVI, Fabrizio Biferali, e përshkruan këtë figurë si një shenjë të heshtur dhe njëkohësisht domethënëse të një artisti që e ndiente veten të ringjallur pas vuajtjeve të përjetuara gjatë realizimit të veprës.
Ndërhyrja e fundit ka shërbyer edhe për të evidentuar problemet që ishin krijuar në afresk gjatë 30 viteve pas restaurimit të mëparshëm, të kryer në vitet 1990. Në sipërfaqen e tij ishte formuar një shtresë e bardhë dhe e njëtrajtshme laktati kalciumi, një lloj kripe që krijohet nga djersitja e miliona vizitorëve që kalojnë në Kapelën Sistine.
Për ta hequr këtë shtresë, 30 restaurues punuan për 30 ditë, të organizuar në dy turne. Ata përdorën kompresa me ujë të distiluar dhe letër japoneze, për të pastruar me kujdes sipërfaqen pa dëmtuar pikturën.
Sipas Paolo Violinit, rezultatet e ndërhyrjes ishin befasuese. Ai tregoi se gjatë pastrimit, piktura i mahniti restauruesit, pasi kontrastet mes dritës dhe hijes u rikthyen në dukje, duke nxjerrë sërish në pah qartësinë e figurave dhe ngjyrat e gjalla të kryeveprës së Michelangelos.
Të gjitha zbulimet dhe rezultatet e punës janë përmbledhur në librin “Michelangelo 2026. Mirëmbajtja e jashtëzakonshme e Gjykimit të Fundit”, me redaktim të Barbara Jattës dhe Fabrizio Biferalit, botuar nga Edizioni Musei Vaticani. Në libër përfshihet edhe kontributi i Fabio Morresit nga Kabineti i Kërkimeve Shkencore, ku shpjegohen në detaje gjendja e afreskut dhe ndërhyrjet e realizuara.