E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nga tingujt festivë te dramatizmi romantik, Orkestra e RTSH të premten, mbrëmje simfonike

Një mbrëmje e veçantë muzikore pritet të ngjitet në skenë, të premten (27 mars) nga Orkestra Simfonike e Radio-Televizionit Shqiptar, nën dirigjimin e maestro Eno Koço.

Koncerti sjell një program të pasur që ndërthur krijimtarinë shqiptare me atë ndërkombëtare, duke i ofruar publikut një udhëtim të pasur artistik.

“Vepra e parë është një premierë, nuk është e gjatë dhe është bazuar mbi një fotografi të Marubit. Pjesa tjetër e programit është një vepër nga Senad Gaçević, një ngjarje për ne”, tha maestro Koço.

Mbrëmja hapet me veprën “Marsh Festiv për orkestër simfonike” të kompozitorit Vasil S. Tole, për të vijuar me Simfoninë Nr. 1 të autorit malazez Senad Gaçević, një vepër e ndërtuar në tre kohë që eksploron kontrastet mes energjisë, reflektimit dhe ritmit.

Publiku do të përjetojë fuqinë dramatike të fantazisë simfonike “Francesca da Rimini” të kompozitorit rus Pyotr Ilyich Tchaikovsky, një vepër e frymëzuar nga “Komedia Hyjnore” e Dante Alighieri, ku muzika përcjell pasionin dhe tragjedinë e dashurisë së ndaluar.

Koncerti do të luhet më 27 mars, në orën 19:00, në Sallën e Universitetit të Arteve, duke premtuar një mbrëmje ku tingujt festivë ndërthuren me emocione të thella romantike.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›