E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga ushqimet me pesticide te ndotja e mjedisit/Kryeinspektori: Do shtojmë kontrollet për produkte me standarde

Inspektorati i Përgjithshëm i Shqipërisë paralajmëron se do të shtojë kontrollet, veçanërisht gjatë sezonit turistik, për të garantuar standardet e produkteve që konsumohen nga qytetarët dhe turistët. Në fokus do të jenë edhe fabrikat e prodhimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij.

 “Do të kemi një qasje të shtuar nga ana e AKU-së për kontrollin e këtyre subjekteve me qëllimin e vetëm që të kemi rritje, rritje të cilësisë së prodhimit të këtyre stabilimenteve, që me qëllimin e vetëm që turistët e huaj dhe turistët vendas këtu, kur të vijnë të vizitojnë qarkun e Fierit, të marrin produkte me cilësi të standardeve që i kërkohet”, u shpreh Dashnor Sula, Kryeinspektor i Përgjithshëm.

Sa i përket përdorimit të pesticideve në bujqësi, Sula paralajmëroi kontrolle më të shpeshta dhe të befasishme, ndërsa u bëri thirrje fermerëve të respektojnë normat e përdorimit.

“Kemi problematika për pesticidet. Që do të thotë do duhet që inspektorati, përsëri, të jetë shumë e kujdesshme në kontrolle rigoroze dhe kontrolle të befasishme dhe të përditshme, në mënyrë të njëtrajtshme për të bërë të mundur që këto pesticide të jenë në nivelin e duhur që secili tregton nga grosistët e caktuar, që marrin të gjithë fermerët, dhe që të lutem, dhe që do duhet që edhe vetë fermerët do duhet të kontrollohen që këto pesticide mos të jenë në një numër që mbi përqindjen të cilët i takohet”, tha ai.

Kryeinspektori ngriti gjithashtu shqetësimin për ndotjen mjedisore nga disa subjekte të industrisë së naftës.

“Shumë rigorozë në kontrollin dhe në procedurat për mbikëqyrjen e të gjithë këtyre subjekteve të cilët shkaktojnë ndotje në të gjithë qarkun e Fierit, të cilët do duhet t’i nënshtrohen rregullave dhe ligjeve në fuqi për mjedisin. Dhe kjo është e patolerueshme dhe do jetë një kërkesë e patolerueshme dhe shumë e fuqishme nga ana ime si Inspektor i Përgjithshëm, dhe me qëllim konkret, dhe me hartimin e një plani konkret, , brenda tre muajve, që kjo shqetësim që ka qenë në të gjithë qarkun e Fierit do duhet të mbyllet një herë e përgjithmonë.”, theksoi Sula.

Nga Fieri ku u takua me drejtuesit dhe inspektorët e këtij qarku, Sula njoftoi gjithashtu riorganizimin e sistemit të inspektimeve, ku disa struktura do të bashkohen për të shmangur mbivendosjen e kontrolleve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›