Vargu i qepëve 110 metra i gjatë mbi Urën e Mesit, rekord për promovimin e traditës së Postribës

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka përgëzuar nismën e fermerit Kujtim Plangaj, i cili realizoi një varg qepësh 110 metra të gjatë, të vendosur mbi Urën e Mesit, në një aktivitet që promovon traditën dhe identitetin e Postribës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Beci e cilësoi këtë angazhim të fermerit Plangaj, më shumë se një rekord, duke theksuar se nisma shërben për të promovuar një traditë mbi 300-vjeçare të kultivimit të qepës në Postribë dhe për t’u treguar vizitorëve historinë, punën dhe përkushtimin e banorëve të zonës.
Beci shtoi se vargu i qepëve 110 metra i gjatë ishte mbajtja e premtimit të dhënë tre vite më parë nga fermeri.
“Ky nuk është thjesht një rekord. Është një mënyrë e bukur për të promovuar një traditë mbi 300-vjeçare të Postribës dhe për t’i treguar vizitorëve se pas çdo produkti vendas fshihet historia, puna dhe përkushtimi i njerëzve tanë”, vijoi Beci, ndërsa theksoi se Shkodra ka histori për të treguar dhe tradita për të promovuar.
“Detyra jonë është t’i ruajmë, t’i mbështesim dhe t’i kthejmë në atraksione që i japin më shumë jetë turizmit dhe ekonomisë sonë”, përfundoi kryebashkiaku i Shkodrës.
/e.i/j.p/