Projekti shkollor, 250 nxënës në Kamzë pushime verore mes sportit dhe argëtimit

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Mbi 250 nxënës në Kamzë po kalojnë pushimet verore mes sportit, argëtimit dhe aktiviteteve të ndryshme fizike, në kuadër të projektit “Sport-Verë 2026”, që zhvillohet në ambientet sportive “Shaban Uka”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga aktivitetet e nxënësve, duke vlerësuar energjinë dhe përfshirjen e tyre në këtë nismë, e cila synon të promovojë jetën aktive dhe përdorimin e kohës së lirë në mënyrë të dobishme.
Programi veror u ofron nxënësve mundësinë të angazhohen në disiplina sportive si basketboll, volejboll, tenis, si edhe lojëra në grup e veprimtari argëtuese, duke krijuar një hapësirë sociale dhe edukative gjatë periudhës së pushimeve.
Ambientet sportive “Shaban Uka” shërbejnë si një qendër për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe komunitare në Kamzë, duke u krijuar fëmijëve mundësi për të ushtruar sportin, për të ndërtuar shoqëri të reja dhe për të zhvilluar aftësi bashkëpunimi.
Projekti “Sport-Verë 2026” synon jo vetëm nxitjen e aktivitetit fizik, por edhe forcimin e kulturës sportive te brezat e rinj, duke e kthyer verën në një periudhë të mbushur me energji, lëvizje dhe përvoja pozitive.
/e.i/j.p/