E Martë, 3 Nëntor 2026

Ngërçi në konstituimin e Kuvendit, Kurti thërret për konsultime Memli Krasniqin e Lumir Abdixhikun

PRISHTINË, 30 prill/ATSH/ Dështimi i njëpasnjëshëm për zgjedhjen e kreut të ri të Kuvendit për mungesë të votave ka detyruar të parin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti të thërrasë për nesër në takim nga ora 08:30 kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së Lumir Abdixhiku për dalje nga ngërçi i krijuar politik.

“Duke u bazuar ne Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me Memli Krasniqi, kryetarin e PDK-së, në sallën N-204 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes”, ka shkruar Kurti në letër.

Ftesa e Kurtit vjen pasi ish-ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiun dështoi gjashtë herë të sigurojë 61 vota për kryetare të Kuvendit, ndërkohë që nesër në ora 10:00 do të vazhdojë seanca konstitutive për legjislaturën e nëntë.

Kryetari i LDK-së në fillim të këtij muaji e kishte refuzuar ftesën e Kurtit për takim duke thënë se gjuha e kreut të LVV-së e përdorur gjatë dhe pas fushatës nuk mund të tejkalohej.

Kurti nuk e kishte ftuar kryetarin e PDK-së Memli Krasniqin herën e parë. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›